Policia: Protestues të maskuar sulmuan efektivët me molotovë pranë selisë së PD-së

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ – Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me incidentin pranë selisë së Partisë Demokratike, duke sqaruar versionin e saj për ndërhyrjen e efektivëve gjatë protestës.
Në një reagim zyrtar, Policia bën të ditur se një grup personash të maskuar, të cilët i cilëson si të dhunshëm, kanë sulmuar me molotovë punonjësit e Policisë.
Sipas Policisë, personat në fjalë, për t’i shpëtuar ndjekjes dhe kapjes nga efektivët, janë futur në ambientet e jashtme të selisë së Partisë Demokratike, nga ku kanë vijuar sulmin ndaj punonjësve të Policisë.
Policia sqaron se efektivët iu përgjigjën sulmit me përdorimin e gazit lotsjellës.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit i cilëson pretendimet e tjera lidhur me mënyrën e zhvillimit të ndërhyrjes si “të pavërteta, të qëllimshme dhe dashakeqe”, duke pretenduar se synojnë fshehjen e së vërtetës.