E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Policia aksion kundër bixhozit, 116 të arrestuar, sekuestrohen kompjutera dhe shuma parash

Një operacion i shtrirë në të gjithë vendin është zhvilluar nga policia kundër lojërave të fatit.  Aksioni i ndarë në dy faza ka sjellë goditjen e 181 rasteve të bizhozit, duke proceduar në total 210 persona.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku tha se prej tyre 116 janë arrestuar në flagrance.

“Si rezultat i këtyre kontrolleve, u evidentuan dhe u goditën 181 raste, për të cilat u proceduan penalisht 210 shtetas, nga të cilët: 116 shtetas u arrestuan në flagrancë, 89 shtetas u proceduan në gjendje të lirë, si dhe vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë. Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme, janë arrestuar 102 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 68 të tjerë”, tha Rrumbullaku.

Gjatë kontrolleve janë gjetën shuma parash në valuta të ndryshme, kanabis si dhe armë.

“Gjatë kontrolleve, u sekuestruan: 4 tavolina për lojen Poker, me valixhe me çipsa dhe me letra bixhozi, 184 celularë, 25 njesi kompjuterike, zara, 174 000 lekë, 20 434 euro dhe 11 360 paund që i shërbenin lojërave të fatit, si dhe sasi cannabisi, municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike, 1 mjet prerës (thikë) dhe 1 automjet”, shtoi Drejtori i Policisë.

I pyetur në lidhje me pastrimin e uniformave blu nga efektivë të lidhur me krimin, Rrumbullaku tha se ky është një proces i rëndësishëm.

Procesin e vetëpastrimit po e ndjek Agjencia e Mbikqyrjes Policore e cila po heton efektivët nëse kanë përdorur programe të koduara si Encro Chat apo Sky./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›