Policia arreston 32-vjeçarin në Tiranë, shiste fishekzjarre për personat e maskuar në protestë

TIRANË, 26 tetor /ATSH/ Policia e Shtetit bëri me dije sot se është zbuluar një tjetër banesë ku mbaheshin lëndë piroteknike të kontrabanduara, për t’ua shitur shtetasve të maskuar, autorë të veprimeve të dhunshme gjatë tubimeve.
Policia informoi se si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që furnizojnë pjesëmarrës në tubimet e fundit, me sende të kundërligjshme, me qëllim kryerjen e veprimeve të dhunshme kundër punonjësve të Policisë, si dhe kundër objekteve publike dhe private, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Fireworks 2”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi D. B., 32 vjeç. Nga kontrolli në banesën e tij, në rrugën “Zela”, u gjetën 47 pako me fishekzjarre.
Nga verifikimet rezultoi se 32-vjeçari nuk ishte i pajisur as me licensë për shitjen e tyre dhe as me dokumentacionin shoqërues të blerjes.
Ndërkaq, nga hetimet dyshohet se ky shtetas iu ka shitur shtetasve të maskuar, pjesëmarrës në tubimin e ditës së shtunë, lëndë piroteknike, për përdorim për veprime të dhunshme.
Hetimi vijon për të dokumentuar rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetas në tjerë të mund të jenë përfshirë në të.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/e.i/j.p/r.e/