Policia arreston 46-vjeçarin në Shijak për zjarrvënie

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Policia e Shtetit bën me dije se ka vënë në pranga një person në fshatin Rreth të Shijakut, për zjarrvënie.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, mesditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit për zjarrin e rënë në disa parcela toke në fshatin Rreth, kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi E. M., banor i fshatit Rreth, kishte ndezur zjarr në tokën e tij dhe nga përhapja e flakëve është djegur në sipërfaqe toke e ndarë në parcela, afër banesave të fshatit.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 46 vjeç, banues në fshatin Rreth, Shijak, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos kryejnë veprime që mund të shkaktojnë zjarre, veçanërisht pranë banesave dhe sipërfaqeve të mbjella, pasi mund të sjellin pasoja të rënda për jetën dhe pronën e qytetarëve.
/e.i/j.p/r.e/