E Enjte, 5 Nëntor 2026

Policia arreston 52-vjeçarin në Tiranë/ Mbante të ngujuar për bindje radikale gruan dhe fëmijët, prej 6 vitesh…

Drejtoria e Antiterrorit dhe Komisariati i Policisë Nr. 4., në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Ngujimi”.

Një 52-vjeçar, Gjergj Laçi është vënë në pranga pasi prej më shumë se 6 vitesh, mbante të ngujuar dhe dhunonte sistematikisht, bashkëshorten dhe fëmijet e mitur.

Këto veprime të 52-vjeçarit kanë ardhur si pasojë e bindjeve të tij radikale.

Në banesë, Laçit i janë gjetur armë të ftohta dhe municione luftarake.

Njoftimi:

Specialistët e Drejtorisë së Antiterrorit dhe specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4., bazuar në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Ngujimi”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit  Xh. (Gj). Ll., 52 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 52-vjeçari, prej më shumë se 6 vitesh, mbante të mbyllur duke i dhunuar sistematikisht dhe kërcënuar me armë të ftohta, bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, të cilët nuk i lejonte të frekuentonin shkollën, për shkak të bindjeve të tij radikale.

Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dy mjete prerëse thika ndërsa gjatë kontrolleve të ambienteve përreth banesës, në oborr, u gjetën dhe sekuestruan 700 fishekë luftarak dhe krëhra automatiku.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›