E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia arreston dy persona në Tiranë, sekuestrohet kokainë e automjet luksoz

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit, i zhvilluar në Tiranë, Fushë-Krujë, Bubq dhe Nikël, ka çuar në arrestimin në flagrancë të dy personave, ndërsa janë sekuestruar lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një armë e ftohtë dhe një automjet luksoz.

Kontrollet u realizuan nga Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë publike dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme.

Policia njoftoi se si rezultat i kontrolleve: janë kontrolluar dhe verifikuar 87 automjete; janë verifikuar 118 shtetas; janë konstatuar dhe hequr 34 xhama të errësuar, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Rrugor, si dhe janë vendosur masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve që qarkullonin me xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin; janë shoqëruar 12 automjete dhe 16 shtetas për verifikime të mëtejshme; është arrestuar në flagrancë një shtetas, pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë; është arrestuar në flagrancë një shtetas, pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë (shufër metalike); është shoqëruar një shtetas, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa u sekuestrua automjeti luksoz që përdorte.

Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.

/m.q/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›