Policia bllokon totalisht qarkullimin në aksin Librazhd-Përrenjas

TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan njofton se aksin Librazhd-Përrenjas është i bllokuar totalisht për të gjitha mjetet, përfshirë ambulancat, zjarrfikëset dhe Policinë.
Strukturat përgjegjëse janë në terren dhe po monitorojnë situatën. Prefektura e Qarkut Korçë është në koordinim të plotë me institucionet përkatëse.
“Bazuar në njoftimin e marrë nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, aksi rrugor nacional Librazhd – Përrenjas është bllokuar totalisht për qarkullimin e mjeteve.
Aktualisht, në këtë segment nuk lejohet kalimi i asnjë mjeti, përfshirë ambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe mjetet e Policisë së Shtetit, të cilat deri më tani kishin akses në këtë aks.
Strukturat përgjegjëse janë në terren dhe po monitorojnë situatën në vijimësi. Për çdo zhvillim të mëtejshëm do të ketë njoftim zyrtar.
Prefektura e Qarkut Korçë mbetet në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës”, thuhet në njoftim.
Në vijim të njoftimeve të mëparshme lidhur me bllokimin e aksit rrugor “Librazhd–Pogradec”, si pasojë e situatës së rënduar të trafikut, Policia informon për akset alternative për qarkullimin e mjeteve:
Për autoveturat:
Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan
Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë.
Për mjetet e tonazhit të rëndë:
Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbrit.
Për shkak të bllokimit të plotë të aksit rrugor Librazhd–Pogradec, nuk lejohet kalimi as i ambulancave, as i shërbimeve të policisë, zjarrfikësve dhe as i këmbësorëve.
Policia Rrugore është e pranishme në terren për orientimin e drejtuesve të mjeteve dhe monitorimin e situatës. Apelojmë për respektimin e sinjalistikës dhe udhëzimeve të dhëna.