Policia bllokon tragetin dhe 5 varka në liqenin e Komanit, vendosnin në rrezik turistët

Policia ka bllokuar një traget dhe 5 varka artizanale në liqenin e Komanit, ndërsa ka gjobitur dhe proceduar pronarët e tyre pasi përbënin rrezik për turistët vendas dhe të huaj.
“Si rezultat u bllokuan 5 mjete lundruese varka të ndërtuara në mënyrë artizanale dhe u ndëshkuan drejtuesit e tyre, me masë administrative, me nga 10 000 lekë të rinj secili.
Gjithashtu, u bë bllokimi i një mjeti lundrues traget në pronësi të shtetasit Gj. G., pasi gjatë verifikimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër, në kalatën e liqenit të Komanit, është konstatuar se ky traget ishte i paregjistruar në organet tatimore, kishte punonjës te paregjistruar, si dhe mungonte leja e drejtimit për guidimin e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pronari i tragetit, 53-vjeçari me inicialet Gj. G akuzohet për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për të gjithë operatorët turistikë, poseduesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese, turistike dhe argëtuese, që të pajisjen me dokumentacionin e plotë tatimor për ushtrimin e kësaj veprimtarie tregtare, si dhe që të pajisen me dëshminë e aftësisë (leje guidimi), me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës së pushuesve dhe vizitorëve.
/rtsh.al/