E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shefi i Wagner hedh poshtë pretendimet ruse për numrin e viktimave në Ukrainë

Një grindje e re ka shpërthyer midis Grupit Wagner dhe ushtrisë ruse, tensione të cilat kërcënojnë që të përhapen. Shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin hodhi poshtë pretendimet e Rusisë se i kishte shkaktuar humbje të mëdha Ukrainës në Donbas, kur Kievi tentoi një aksion sulmues.

Prigozhin tha se pretendimet ishin “thjesht trillime shkencore dhe absurde”. Por ministria ruse e mbrojtjes dyfishoi pretendimet të martën, duke thënë se Ukraina pësoi mbi 3,700 viktima.

Ushtria e Ukrainës tha të hënën se nuk kishte informacione për një sulm të madh në rajon dhe se nuk do të komentonte mbi pretendimet që i quajti “të rreme”.

Duke folur për mediat shtetërore, ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu këmbënguli se forcat e tij kishin shkaktuar mbi 3,715 viktima në rradhët e ukrainasve gjatë sulmit, si dhe duke shkatërruar dhjetëra pajisje ushtarake.

“Përpjekjet për një ofensivë kanë dështuar. Armiku është ndalur. Ushtarët dhe oficerët rusë treguan guxim dhe heroizëm në beteja,”- tha zoti Shoigu, duke shtuar se 71 trupa ruse vdiqën në luftime.

Megjithatë, Prigozhin u përgjigj shpejt ndaj pretendimeve të ministrisë së Mbrojtjes të hënën në mbrëmje, duke thënë se pretendimet për një sukses të madh do të përbënin një “masakër”.

“Mendoj se këto janë vetëm disa fantazi”-, ka shkruar ai në Telegram. Ai gjithashtu akuzoi forcat ruse për tërheqje të “ngadaltë” nga fshati Berkhivka në periferi të Bakhmutit, duke e quajtur atë një “turp”.

Moska i hodhi poshtë pretendimet e Prigozhin, duke shtuar se deklaratat e tij “nuk korrespondonin me realitetin”, si dhe këmbënguli se periferia mbetej nën kontrollin e Moskës.

Zyrtarët në Kiev kanë pranuar se kanë kaluar në “veprime sulmuese” në disa pjesë të vendit i tha të martën një zyrtar amerikan partnerit të BBC-së, CBS News, dhe se kundërofensiva e Ukrainës është në fazat e saj të para, por që shtytja kryesore ende nuk ka filluar.

Të hënën, zëvendësministrja e mbrojtjes e Kievit, Hanna Maliar tha se disa operacione sulmuese kishin filluar rreth qytetit lindor të Bakhmutit, të cilin ajo e quajti  “epiqendër e armiqësive”.

Në një fjalim video të hënën vonë, Presidenti Volodymyr Zelensky falënderoi luftëtarët ukrainas për dhënien e “lajmit që pritet” në rajonin e Bakhmut.

Bakhmuti ka qenë prej muajsh në qendër të luftimeve të ashpra. Ka pak vlerë strategjike – por është simbolikisht i rëndësishëm si për Kievin ashtu edhe për Moskën.

Luftëtarët e Prigozhin ishin të përfshirë shumë në betejën për Bakhmutin. Ai kritikonte rregullisht zyrtarët rusë për atë që ai tha se ishte mungesa e mbështetjes së vijës së parë. 

Por në fund të majit ai tha se forcat e tij po tërhiqeshin nga qyteti në mënyrë që ta kalonin kontrollin tek ushtria ruse.

Ai besohet se ka ambiciet e tij politike dhe se objektivat e forcave të tij nuk kanë qenë gjithmonë në një linjë me ato të ushtrisë, duke rezultuar në tension midis fraksioneve.

Të hënën, grupi paraushtarak tha se kishte arrestuar një oficer të rregullt të ushtrisë ruse, i cili dyshohet se hapi zjarr ndaj një automjeti Wagner në Ukrainë.

Në një video të publikuar nga grupi, oficeri rus deklaroi se ngjarja ndodhi ndërsa ishte i dehur, dhe se ai kishte hapur zjarr dhe për shkak se nuk e pëlqente grupin Wagner. BBC

/rtsh.al/ a.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›