E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Pejës zë drogë të mbjellë ne qytet

Pejë, 23 gusht-Gjashtëdhjetë fidanë drogë të tipit kanabis sativa janë zbuluar të mbjella në oborrin e një qytetari në Pejë. Njësia antidrogë ka shkulur ato për t’i asgjësuar më pas në vendin e përshtatshëm. Kultivuesi i këtyre fidanëve ka rënë në duar të policisë dhe ndaj tij janë duke u zhvilluar hetime.
Zbulimi i drogës që ishte gati për t’u korrur ka ndodhur të hënën në mëngjes. Zëdhënësi i policisë së rajonit të Pejës, Xhevat Ibra, ka treguar se policia fillimisht ishte informuar se në oborrin e shtëpisë së një qytetari dyshohej se po kultivohej droga. “Të hënën në ora 9.30 minuta policia ka shkuar në vendin e dyshuar dhe ka gjetur drogën e mbjellë në kopshtin e një qytetari”, ka treguar Ibraj për të shtuar se pas shkuljes së 60 fidanëve është bërë asgjësimi i tyre në vendin e përshtatshëm për djegie lëndësh narkotike.
Ibraj ka treguar se policia ka bërë edhe bastisjen e shtëpisë së këtij qytetari dhe se ka gjetur dy predha të dyshimta eksploduese dhe një pistoletë. “Njësitet e specializuara të KFOR-it kanë tërhequr këto mjete shpërthyese”, ka thënë Ibraj, duke treguar se i dyshimti është nën pranga dhe se ndaj tij ka filluar procedura hetimore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›