E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Shtetit shpall thirrjen për Drejtor Departamenti dhe Drejtor Vendor të Policisë

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit ka shpallur thirrjen për konkurrim për pozicionet “Drejtor Departamenti” dhe “Drejtor Vendor i Policisë”. Këto thirrje janë hapur me qëllim zhvillimin e një procesi vlerësimi objektiv, transparent dhe gjithëpërfshirës, si dhe nxitjen e konkurrencës profesionale dhe drejtuese në përzgjedhjen e kandidatëve që shfaqin aftësi, rezultate të larta, integritet moral dhe profesional për promovimin në detyrë të punonjësve të Policisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar hapjen e aplikimeve për konkurrim për pozicionet: “Drejtor Departamenti” në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin; “Drejtor Departamenti” në Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare; “Drejtor Vendor i Policisë” në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, për shkak të dorëheqjes nga detyra të punonjësit të përzgjedhur për këtë funksion, me proces konkurrimi; “Drejtor Vendor i Policisë” në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, për shkak të shkarkimit nga detyra, më datë 10 korrik të drejtorit të përzgjedhur me proces konkurrimi. Faza e aplikimeve do të jetë e hapur nga data 3 nëntor, ora 08:00, deri më datë 11 nëntor  ora 16:00. Policia e Shtetit fton punonjësit e saj që mbajnë njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues, që të aplikojnë dhe të konkurrojnë për këto pozicione, duke i garantuar për një proces vlerësimi të drejtë, transparent dhe profesional. /k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›