Kushtetuesja nis seancën për ankimimin e Veliajt

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Gjykata Kushtetuese po zhvillon sot seancën gjyqësore për shqyrtimin e ankimimit të Erion Veliajt, i cili kërkon rrëzimin e vendimit të këshillit bashkiak dhe më pas qeverisë për shkarkimin e tij.
Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka lënë ambientet e paraburgimit në Durrës dhe ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese rreth orës 09:35 minuta. Seanca nisi në orën 10:00′.
Në seancë, Këshilli i Ministrave përfaqësohet nga avokatët Herald Jonuzaj, Vangelt Duni, avokatja e shtetit Irma Qosja. Presidenca përfaqësohet nga avokatët Hemion Braho, Ilirjan Rusmajli, Erjola Shia, ndërsa Erion Veliaj nga avokatët Ermal Yzeiraj dhe Alban Dokushi.
Në nisje të seancës, përfaqësuesi i Presidentit të Republikës, Erjola Shia kërkoi për ish-kryebashkiakun Erion Veliaj në Gjykatën Kushtetuese anulimin e vendimit për përfshirje në këtë shqyrtim të dekretit të kreut të shtetit, Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë.
“Në parashtesat që kemi depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese në datë 15.10.2025, ne kemi kërkuar që të rimerret në shqyrtim çështja e kompetencës suaj për shfuqizimin e dekretit nr.350, datë 1.10.2025 dhe ta deklaroni në fillim të seancës moskompetencën”, tha përfaqësuesja e Presidentit Begaj.
Në vijim, përfaqësuesja e Presidentit Begaj u shpreh se “zgjedhjet në Tiranë u penguan, ndaj duhet të rikthehet kushtetutshmëria dhe moskomptenca për shqyrtimin e dekretit nr. 350, datë 1.10.2025”.
“Meqë nuk u deklarua moskompetenca lidhur me dekretin dhe nuk na çliruat nga statusi i palës në këtë proces, do të ishte një vendim i drejtë dhe ligjërisht korrekt për këtë kërkesë paraprake. Ne po kërkojmë para jush që të anuloni këtë dekret, si një hap që duhet t’i paraprijë çështjes në themel”, tha ajo.
Avokati i Erion Veliajt, Ermal Yzeiraj u shpreh se “ne i qëndrojmë parashtrimeve që kemi paraqitur në lidhje me kompetencën e Gjykatës Kushtetuese. Ne mendojmë se kjo gjykatë është kompetente për shqyrtimin e kërkesës tonë edhe për aktin e Presidentit. Për ne procesi është i ndarë në dy fazë: faza e parë është ajo e propozimit dhe vendimmarrjes që përfundon me vendimin e Këshillit të Ministrave.
“Faza tjetër është ajo e garancisë kushtetuese që aktivizohet automatikisht me paraqitjen e kërkesës ku nuk do të ndërhyjë asnjë institucion, përfshirë edhe atë të Presidentit. Aktivizimi para kohe i Presidentit me aktin për caktimin e datës së zgjedhjeve aktivizon efektet juridike të vendimit të Këshillit të Ministrave, efektet e të cilit janë të pezulluara. Për këtë arsye ne mendojmë se Gjykata Kushtetuese është kompetente dhe dekreti i pezullimit duhet të jetë pjesë e shqyrtimit”, tha Yzeiraj.
Pas parashtrimeve, trupi gjykues i Gjykatës Kushtetuese u tërhoq për të marrë vendim lidhur me kërkesat paraprake. Gjykata Kushtetuese, pas shqyrtimit, vendosi rrëzimin e kërkesës së Presidentit, duke lënë në fuqi pezullimin e dekretit të Kreut të Shtetit për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë.
Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn me 50 vota pro, pas propozimit të këshillit bashkiak duke u mbështetur në ligjin për qeverisjen vendore, me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë.
Më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, i cili me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata Kushtetuese u pezullua deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në burg”.
Veliaj akuzohet në 9 raste për korrupsion pasiv. Gjithashtu akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre si dhe futjen e sendeve të paligjshme në burg.
Erion Veliaj në Gjykatën Kushtetuese - Foto: Andrin Hoxha 1 nga 3/e.i/a.f/r.e/