E Martë, 3 Nëntor 2026

Policia e Tiranës: 5300 gjoba për shkelje rrugore në 72 orë

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës gjatë 72 orëve ka arrestuar 10 shtetas për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa një po procedohet penalisht.

Sipas njoftimit për shtyp të policisë, 4 shtetas u arrestuan për drejtim automjeti, në gjendje të dehur, 3 për drejtim automjeti, pa leje, 2 të kërkuar për shkelje rrugore, 1 për drejtim të automjetit, në efektin e lëndëve narkotike dhe një shtetas u procedua penalisht, sepse tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë, të cilët e konstatuan duke përdorur celularin, gjatë drejtimit të automjetit.

Më tej, si rezultat i përdorimit të flotës me pajisje inteligjente u ndëshkuan administrativisht, 5300 drejtues mjetesh, kryesisht për: parakalime të gabuara, qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvënie të rripit të sigurimit ose mosvënie të kaskës mbrojtëse.

Gjithashtu, janë tërhequr me mjet ngritës, 10 automjete që kishin zënë në kundërshtim me ligjin, hapësira publike.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së tyre.

/k.s/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›