E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Tiranës finalizon tre operacione për zbardhjen e vjedhjeve, arrestohen tre shtetas

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Policia e Tiranës informon se si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimeve të qytetarëve janë finalizuar tri operacione për zbardhjen e vjedhjeve, ndërsa janë sekuestruar 10 mjete të dyshuara si të vjedhura.

Policia bën me dije se shërbimet e Komisariatit Nr. 3 finalizuan operacionin e koduar “Navigator”, gjatë të cilit u arrestuan shtetasit F. K., 51 vjeç dhe D. M., 37 vjeç, pasi dyshohet se janë autorë të vjedhjes së disa motoçikletave, biçikletave dhe monopatinave, në zona të ndryshme në kryeqytet. Me cilësinë e provës materiale, këtyre shtetasve iu sekuestruan 6 biçikleta, 2 monopatina dhe 1 motoçikletë, të dyshuara të vjedhura.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “October”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi K. K., 26 vjeç, pasi dyshohet se i ka vjedhur me dhunë varësen nga qafa, një shtetaseje, në rrugën “Konferenca e Pezës”. Nga veprimet hetimore dyshohet se i arrestuari ka kryer vjedhje me dhunë, në të njëjtën zonë, edhe më datë 02.10.2026.

Sipas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Kilometrazhi”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi Y. A., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet në Rinas, i cili u lokalizua në Durrës, dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Vijojnë hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht, veprimatrinë kriminale të këtyre shtetasve në fushën e vjedhjeve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›