Policia e Tiranës godet 4 raste të shitjes së drogës në doza, 5 të arrestuar

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bashkëpunimi”, në kuadër të të cilit janë goditur katër raste të shitjes së lëndëve narkotike në doza, brenda 24 orëve të fundit. Si rezultat, janë arrestuar 5 shtetas, si dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme kokaine dhe kanabisi, 3 aparate celularë dhe 1 automjet.
Operacioni u shtri në disa zona të kryeqytetit, dhe ndërhyrjet konkrete u realizuan nga strukturat e komisariateve dhe nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat”:
Në Kamzë, në bulevardin “Nënë Tereza”, u arrestua shtetasi F. M., 24 vjeç, i cili u kap në flagrancë duke shpërndarë doza kokaine. Lënda narkotike u gjet si gjatë kontrollit fizik, ashtu edhe në banesën e tij.
Në rrugën “Ali Kelmendi”, shërbimet e “Shqiponjave” arrestuan shtetasit E. T. dhe Xh. O., të dy 27 vjeç. Ata udhëtonin me një automjet që dyshohet se përdorej për shitje të dozave kanabisi. Lënda narkotike u gjet mbi E. T., ndërsa Xh. O. u arrestua pasi nuk ka kallëzuar për veprimtarinë kriminale.
Në rrugën “Rrapo Hekali”, u kap në flagrancë shtetasi S. K., 23 vjeç, i cili dyshohet se mbante sasi kanabisi me qëllim shpërndarjen në doza.
Po ashtu, në një banesë në zonën e Komisariatit Nr. 1, u arrestua shtetasi Xh. H., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe në banesë iu gjetën doza kanabisi, që dyshohet se ishin për shitje.
Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Tiranës vijon kontrollet intensive në funksion të parandalimit dhe goditjes së shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, duke ftuar qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshimtë në numrin 112 apo përmes aplikacionit Komisariati Dixhital.
/vizionplus.tv