E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia holandeze shton masat e sigurisë para ndërtesës së Gjykatës në Hagë

PRISHTINË, 15 shtator/ATSH/ Policia holandeze i ka shtuar masat e sigurisë përpara ndërtesës së Gjykatës Speciale në Hagë pak orë përpara vendimit historik ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton KosovaPress.

Gjatë qëndrimit të ekipit të KosovaPress në Hagë, policia holandeze është stacionuar përpara ndërtesës së Gjykatës Speciale ku i kanë urdhëruar të gjithë qytetarët shqiptarë që po qëndronin aty të largoheshin.

Njëri nga oficerët tha se ka marrë udhrër nga komandanti i tij që askush të mos qëndrojë mbi dy minuta përpara ndërtesës, pavarësisht se aty është pronë publike.

“Nëse qëndroni këtu për dy minuta është në rregull, por nëse jo, atëherë duhet të lëvizni andej. Nuk lejohet (qëndrimi). Kaq është, kjo është arsyeja. Nuk lejohet të qëndroni përpara Tribunalit, duhet të shkoni në atë drejtim. Kjo është ajo që po ua them. Për informacione, mund ta kontaktoni zëdhënësin e policisë. Nëse doni, mund të shkoni në Manifeld, pasi atje do të mbahet një demonstratë më vonë”, tha polici holandez, raporton KosovaPress.

Nesër, duke filluar nga ora 10:00, do të nisë seanca ku trupi gjykues do të japë verdikin e shkallës së parë për katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›