E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia kap çantën plot me lëndë narkotike në Durrës, dy tregtarët dhe blerësi në pranga

Tre persona janë arrestuar këtë të diel në Durrës, pasi ushtronin veprimtari kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së kanabisit.

Shtetasi Haxhi Çela i kishte blerë shtetasve Ardis Kraja dhe Gerald Kuqi, një çantë me lëndë narkotike, 3.5 kg kanabis sativa.

Sipas njoftimit zyrtar, dhe dy tregtarët edhe blerësi kanë përfunduar në pranga.

Njoftimi:

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi H. Ç., 34 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë operacionit, pranë mbikalimit të Shkozetit, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin që drejtohej nga shtetasi H. Ç., i dyshuar se po transportonte lëndë narkotike me qëllim shitjen në zonën e Lushnjës. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa, me peshë rreth 3.5 kilogramë.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i dy shtetasve të tjerë, konkretisht A. K., 43 vjeç dhe G. K., 25 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta dy shtetas i kishin shitur shtetasit H. Ç., në zonën e Spitallës, lagjja nr. 15, lëndën narkotike që iu sekuestrua gjatë këtij operacioni.

Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit A. K. dhe G. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një dorezë hekuri.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. /vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›