Policia liron hapësirat publike në plazhin e Gjirit të Lalzit

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Policia Bashkiake e Durrësit, në bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të Bregdetit, Agjencinë e Parqeve Urbane, Ndërmarrjen e Shërbimeve Komunale dhe Ndërmarrjen Rruga, zhvilloi sot një aksion për lirimin e hapësirave të plazhit publik në zonën e Gjirit të Lalzit.
Gjatë kontrolleve në terren, u konstatuan çadra, shezlongë dhe pajisje të tjera plazhi të vendosura në kundërshtim me hartën e miratuar nga ministria për administrimin e plazheve publike.
Sipas njoftimit të Policisë Bashkiake Durrës, strukturat përgjegjëse ndërhynë menjëherë për heqjen e tyre, duke rikthyer në funksion të qytetarëve dhe pushuesve hapësirat publike të zëna në mënyrë të paligjshme.
Policia Bashkiake e Durrësit u bëri thirrje të gjitha subjekteve dhe individëve të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të mos zënë apo shfrytëzojnë në mënyrë të paligjshme hapësirat e plazheve publike për qëllime private.
Autoritetet theksuan se çdo shkelje do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa kontrollet në terren do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror për garantimin e aksesit të lirë të qytetarëve në plazhet publike.
Policia Bashkiake e Durrësit, apelon për bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve dhe subjekteve, me qëllim ruajtjen e një bregdeti të rregullt, të pastër dhe të sigurt, në respekt të së drejtës së çdo pushuesi për të shfrytëzuar hapësirat publike.
/e.i/a.f/