Tirana e populluar me turistë këtë fund korriku

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Sheshet, rrugët dhe zonat kryesore të Tiranës janë plot me turistë këtë fund korriku, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar në një zgjedhje për pushuesit nga e gjithë bota.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje të turistëve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, të cilët fotografojnë disa nga pikat strategjike të kryeqytetit duke mësuar më shumë për kulturën shqiptare.
Fluski i turistëve është gjithnjë më shumë në rritje në Tiranë dhe Shqipëri, duke u shndërruar në një destinacion të preferuar në turizmin mesdhetar për turistë të huaj nga rajoni, Evropa, por edhe më gjerë.
Turistët e huaj kanë mundësi që në Tiranë të njihen me disa forma të turizmit, nga ai kulturor, historik, atë arkitekturor dhe kulinar, me një gastronomi të pasur tradicionale.
Por, vëmendjen e turistëve të huaj ndër vite e ka marrë edhe turizmi malor dhe ai i aventurës, në disa zona përreth Tiranës.
Sheshi “Skënderbej”, “Piramida”, Bunk’Art, Xhamia e Et’hem Beut dhe disa pika të tjera strategjike, janë atraksionet që tërheqin më shumë pushuesit e huaj.
Të tjera pika kryesore të vizituara nga të huajt në kryeqytetin shqiptar, janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art” 1 dhe 2, Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, etj. Grupet e turistëve i gjen kryesisht te sheshi “Skënderbej”, te Kalaja e Tiranës dhe te Pazari i Ri.
/e.i/a.f/