E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia me masa shtesë

Nga Express më 10 korrik 2011 në ora 19:44

Policia ka shtuar numrin e përfaqësuesve të saj nëpër rrugët ku janë duke u zhvilluar punime, ndërsa kërkon kujdes të shtuar nga ngasësit e veturave. Në kuadër të planit zhvillimor 2010-2015 të Policisë së Kosovës ekzistojnë edhe plane të veçanta që pikësynim kanë edhe sigurinë në komunikacionin rrugor.

Zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Brahim Sadriu tha për Radion Blue Sky se këtë vit Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës ka lëshuar urdhrin operativ për të gjitha drejtoritë rajonale për kryerjen e aktiviteteve të veçanta për të parandaluar aksidentet në trafik.

“Gjatë sezonit veror duhet të kryejnë aktivitete të veçanta që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve në trafik si dhe parandalimin e kundërvajtjeve në trafik”, tha Sadriu. Duke pasur parasysh edhe shtimin e automjeteve që vijnë nga diaspora gjatë sezonit veror dhe punimet nëpër rrugët magjistrale, Sadriu thotë se për këtë çështje janë caktuar zyrtarë policorë edhe nëpër rrugët ku janë duke u zhvilluar punimet.

“Nëpër disa vende ku janë duke u zhvilluar punimet, Policia e Kosovës ka plane konkrete për caktimin e zyrtarëve policorë nëpër ato vende. Rast konkret është tek rrotullimi në rrugën që çon në Pejë. Është njësia e policisë që qëndron gjatë gjithë ditës deri në orët e vona”, thotë Sadriu. Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës këtë vit ka rënie të aksidenteve me fatalitet. Ka rënie të aksidenteve edhe sipas dendësisë së automjeteve në rrugë por duke krahasuar periudhën e njëjtë të vitit të kaluar vërehet rënie e numrit të aksidenteve të trafikut.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›