E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shala, lojtar i muajit

Drilon Shala është shpërblyer me çmimin lojtari më i mirë i muajit në Finlandë. Sulmuesi kosovar pati paraqitje fantastike në muajin qershor duke shënuar tre gola vendimtarë për Lahtin. Për këtë premi, 24-vjeçari falënderon shokët e skuadrës, ndërsa nga ta kërkon që ta ruajnë formën aktuale. Nga Express më 10 korrik 2011 në ora 14:00

Drilon Shala është zgjedhur lojtari më i mirë i muajit qershor në Finlandë. Këtë nominim e kanë bërë vetë futbollistët nga kampionati finlandez, të cilët e shpërblyen formën e futbollistit të Lahtit gjatë tërë muajit.

Lahti i fitoi tri ndeshje në qershor dhe pa dyshim, futbollisti kosovar dha kontribut të madh. Ai ishte çelësi i suksesit të ekipit të tij duke realizuar tre gola, dy prej tyre vendimtarë në fitoret e Lahtit.

Ky ishte një lajm i mirë për 24-vjeçarin. “Qershori ishte një muaj me intensitet të lartë, ngase ka lindur djali im. Ndoshta, ky fakt i ka dhënë impuls lojës sime”, deklaroi Shala për uebfaqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Finlandës.

- “Natyrisht, meritë për këtë premi kanë edhe bashkëlojtarët e mi. Nuk e kam merituar vetëm unë këtë premi, por e tërë skuadra, ngase bëmë lojë kolektive dhe u kombinuam mirë”, shtoi ai.

Shala thotë se do të mundohet ta ruajë formën, por është i vetëdijshëm se Lahtin e presin sfida të vështira në të ardhmen. “Çdo lojë është e vështirë. Të gjitha ndeshjet janë si një finale, me të vërtetë të vështira, ngase skuadrat mbrohen mirë dhe kanë lojtarë të mirë. Vetëm duhet të koncentrohemi me kujdes në çdo ndeshje”, vazhdoi ai.

Përkundër formës së mirë që po kalon ekipi, Shala kërkon që ai dhe shokët të mbeten me këmbët në tokë. Ai kërkon që të vazhdohet të shfaqet lojë e nivelit të lartë, e më pas nuk do të mungojnë as rezultatet. Shala do ta marrë shpërblimin të hënën, në ndeshjen që Lahti do ta zhvillojë ndaj FC Viikingut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›