E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia në Athinë përleshet përsëri me protestuesit, në ditën e katërt të trazirave

Policia në Athinë u përlesh përsëri me protestuesit që hidhinin gurë përpara godinës së parlamentit, në ditën e katërt të trazirave, që nxitën opozitën të bënte thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Përleshjet nëpër rrugë u acaruan sot, ndërkohë që bëheshin përgatitjet për varrimin e një adoleshenti, vrasja e të cilit nga policia të shtunën, shkaktoi fillimin e trazirave në Athinë dhe në qytete të tjerë të Greqisë.

Udhëheqësit e opozitës socialiste George Papandreou tha se qeveria e kryeministrit Costas Karamanlis nuk është në gjendje të mbrojë publikun nga protestuesit.

Në komente të tjera, zoti Karamanlis bëri thirrje për unitet dhe paralajmëroi se qeveria do t'u japë përgjigjen e duhur protestuesve.

Pamje televizive tregonin se zona përreth parlamentit u mbulua nga gazi lotjellës dhe rrugët aty afër ishin plot me makina të djegura dhe mbeturina të tjera në ato që autoritetet thonë se janë trazirat më të rënda civile nëd ekada me radhë. Gjatë natës, zjarret në Athinën qëndrore dolën jashtë kontrollit.

Dy policë të përfshirë në vrasjen e adoleshentit u arrestuan dhe u akuzuan për vrasjen, njëri për vrasje me paramendim dhe tjetri si bashkëpunëtor në vrasje.

Policët thanë se makina e tyre e patrullës u sulmua në qendër të Athinës prandaj ata u përgjigjën me të shtëna paralajmëruese. Por dëshmitarët thanë se njëri prej policëve qëlloi me armë djalin 15 vjeçar.

Autoritetet në Athinë po përgatiten për protesta më të mëdha nesër, ndërkohë që grupet e punëtorëve kanë në plan të zhvillojnë një grevë të përgjithshme 24 orëshe kundër politikave ekonomike të qeverisë.    (ze)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›