Policia nis gjuetinë e hashashit, kontrolle me helikopterë në jug të vendit
Tiranë- Stina e verës është edhe periudha e vitit kur policia nis gjuetinë si nëpër filma për ndalimin e kultivimit dhe prodhimit të drogës në Lazarat.
Mëngjesin e sotëm policia e shtetit bëri me dije se ka nisur aksionet nga ajri me helikopterë për të monitoruar nëse ka parcela me të mbjella të lëndës narkotike, hashash.
Operacioni ka nisur në jug të vendit me helikopterë që kanë nisur fluturimet mbi Përmet, Frashër, Gjirokastër. Vendet më të dyshuara se kanë se kanë parcela me kanabis.
Sakaq vitin e shkuar Gazeta IDEA mësoi nga burime të rezervuara se në stinën e nxehtë, kur policia bllokonte ujin për ujitjen e bimëve, lazaratasit kishin shpikur një tjetër metodë për vaditjen e bimëve. Ata i vinin flakën një zone me shkurre dhe njoftonin repartin e zjarrfikësve.
Nga andej niseshin 3-4 makina dhe vetëm njera shkonte për të fikur zjarrin, të tjerat e shkarkonin ujin për vaditjen e bimeve narkotike. Kjo praktikë është përdorur duke korruptuar zjarrfikësit, pasi vetëm ata mund të lejoheshin të futeshin në fshatin e rrethuar.
Burime të tjera thonë gjithashtu se edhe aksionet e filmuara për shkuljen dhe djegien e bimëve narkotike janë fare periferike, pasi ato janë filmuar jashtë fshatit. Në të gjitha rastet kur ka tentuar të futet në fshatin Lazarat, policia ka dështuar pasi ata kanë reaguar të tërë, duke vënë përpara madje gratë dhe fëmijët.
Policia i ka patur mjetet dhe mundësitë për të ndërhyrë edhe në parcelat e oborreve, por e ka shmangur këtë përplasje pikërisht për të mos shkaktuar viktima mes tyre.