Policia plan masash për vitin e ri shkollor, Proda: Mjedise të sigurta për nxënësit

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Nisi sot viti i ri shkollor për rreth 345 mijë nxënës dhe 31 mijë mësues në mbarë vendin.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në institucionet arsimore, Policia e Shtetit hartoi një plan masash, që përfshin patrullime të shtuara në afërsi të institucioneve arsimore si dhe kontrolle të rregullta në transportin e nxënësve.
Policia Rrugore pati një prani të shtuar në akset rrugore, veçanërisht pranë shkollave që ndodhen pranë rrugëve kryesore, në fillim të nisjes së mësimit, por që do të vijojë deri në përfundim të procesit mësimor.
Në kuadër të këtyre masave, policia njoftoi se do të kryhen kontrolle të vazhdueshme për drejtuesit e automjeteve që transportojnë nxënësit, duke përfshirë testet për alkool, kontrollin teknik të automjeteve dhe zbatimin e rregullave të transportit të nxënësve.
Gjithashtu do të merren masat edhe për mbylljen e pikave ambulante që tregojnë alkool pranë shkollave, apo produket ushqimore të skaduara.
Policia njoftoi se ka marrë masat edhe për të vlerësuar çdo informacion për konflikte të mundshme, përfshirë fenomenin e bullizmit.
Me rastin e ditës së parë të shkollës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda dha një mesazh urimi për nxënësit.
Proda theksoi se për Policinë e Shtetit, siguria në shkolla është dhe mbetet prioriteti ynë kryesor.
“Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, oficerët e sigurisë në shkolla, mësuesit, drejtuesit e shkollave, prindërit dhe qeveritë e nxënësve, Policia e Shtetit do të jetë pranë jush përmes Patrullave të Përgjithshme, strukturave të Policimit në Komunitet, Policisë Rrugore dhe Policisë Kriminale, për të garantuar mjedise të sigurta brenda dhe rreth shkollave”, tha Proda.
Proda shtoi se “ne besojmë se vetëm së bashku mund t’u japim fëmijëve tanë atë që meritojnë: një vit të qetë, të sigurt dhe të mbushur me dije”.
“Ftoj të gjithë aktorët që i ngarkon ligji për zbatimin e masave të përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, që të kontribuojnë në interesin e përbashkët: sigurinë e fëmijëve tanë”, tha Proda.
Proda uroi “një vit të mbarë shkollor për të gjithë nxënësit, për fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit të cilët nuk u shoqëruan sot në shkollë nga prindërit, për shkak të angazhimit në detyrë, dhe në veçanti për fëmijët e dëshmorëve të Policisë”.
/m.q/j.p/