E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia po heton Fakultetin e Mjekësisë

Keqpërdorimet në Fakultetin e Mejkësisë po lulëzojnë dita ditës. Regjistrimi studentëve pa kritere, falsifikimi i notave, por edhe shitja e notave nga ana e profesorëve janë dukuri që u vërejtën gjatë hulumtimit që bëri RTK. Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për parregullësit në këtë institucion të lartë arsimor.

Rreth 170 studentë të Fakultetit të Mjekësisë, i kanë dosjet e tyre në Policinë e Kosovës. Ata po dyshohen për falsifikimeve të notave në forma të ndryshme në indekse, vërtetime e deri të falsifikimi i temave të diplomës. Zyrtarë nga Fakulteti i Mjekësisë thonë se kjo dukuri është në rritje dita ditës.

Syzana Zejnullahu, zyrtare e lartë për studime themelore në këtë fakultet thekson se një gjë e tillë Fakultetin e Mjekësisë po e përcjellë që sa vjet. Ajo thotë se keqpërdorimiet nisin që nga pranimi i studentëve pa kritere, jashtë afatit të caktuar duke përdorur mënyra të ndryshme.

Sipas Zejnullahut pikërisht studentët që kanë bërë falsifikime e që janë hetuar nga vetë ajo, kanë kërcënuar këtë të fundit në mënyra të ndryshme siç thotë ajo duke përdorur edhe emra të njërëzve në pushtet, në mënyrë që ta frikësojn për t`i fshehur shkeljet ligjore.

Zejnullahu tregon se për këtë gjë ka njoftuar me shkrim në vazhdimësi dekanin e fakultetit, por asnjëhër nuk është ndërmarrë asgjë.

Ndërsa dekani Naim Haliti arsyetohet me kohën e shkurtër të tij në këtë pozitë. Haliti theksoi se do të formojë një komision disiplinor i cili do t`i shqyrtojë të gjitha parregullësit dhe siç tha ai nëse vertëtohet se ka falsifikime është i gatshëm që të punoj me organet e hetuesisë për ta ndaluar këtë dukuri.

E rektori u Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi tha se është i shqetësuar për kaosin që e ka kapluar Fakultetin e Mjekësisë, dhe siç tha ai do t`i luftojë në çdo formë këto dukuri që po ia ulin vlerën Fakultetit të Mjekësisë.

Për parregullësit, falsifikimet dhe ndërhyrjet në indekse, flasin edhe vetë studentët e këtij fakulteti. Shefqet Hajdari tha se kjo gjë në këtë fakultet është shëndërruar në biznes.

Burime të sigurta të RTK-së, brenda Policisë së Kosovës, thonë se janë duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për falsifikime të notave nga studentët, shitje të notave nga profesorët dhe disa parregullësi të tjera që janë evidente në këtë faklutet. E një gjë të tillë zyrtarisht nuk e mohon e as pohon zëdhënsi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Sido që të jetë për këtë qerdhe arsimi nuk po flitet mirë. Që nga paslufta ky fakultet nuk është bërë rehat as me dekanët ku nga shtatë sosh vetëm dy kanë përfunduar mandatin, ndërsa të tjerët janë shkarkuar./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›