E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kusari-Lila dhe Lekaj, përplasje pushtetesh

Mosmarrëveshja mes Zëvendëskryeministres Mimoza Kusari-Lilës dhe Kryetarit të Gjakovës, Pal Lekaj, për qendrën inovative përveç inateve personale ka nxjerrë në shesh edhe telashet që ekzistojnë mes qeverisjes së nivelit qendror dhe lokal ku pushtetin nuk e ka e njëjta parti.

Përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se ky nuk është shembulli i vetëm kur qytetarët e vuajnë mungesën e investimeve për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, thotë se kjo tregon mungesë të koordinimit dhe gatishmërisë së këtyre pushteteve për t’i tejkaluar problemet mes vete.

Gjakova, sipas tij, nuk është shembulli i vetëm kur qytetarët e vuajnë mungesën e investimeve për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë partitë mes vete.

“Ky është një rast ku janë identifikuar raportet mes partisë së pushtetit qendror dhe atij lokal, por kemi edhe një rast tjetër që raportet mes pushtetit lokal dhe qendror pothuajse janë të ngrira në Prishtinë”, thotë Rexhepi.

Se nuk i kanë punët mirë me zyrtarët e komunave, ditë më parë Kusari-Lila e pranoi në një intervistë për “Express”.

Ajo pati shpjeguar se në shumë raste duhet të nënshkruajnë memorandume bashkëpunimi në mënyrë që krerët e komunave t’i zbatojnë obligimet ligjore.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, fillimisht ndaloi mbajtjen e forumit të planifikuar në Bibliotekën e Qytetit dhe më pas u vendosën shiritat e kuq në vendin ku është planifikuar ndërtimi i qendrës inovative.

Pankartat u larguan nga muri, ndërsa punëtorët u ndaluan të vazhdojnë punimet me arsyetimin se kanë urdhër nga Komuna për të mos lejuar ndërtimin e kësaj qendre./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›