Policia po heton intensivisht rastin e kanosjes së Nazlie Balajt

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 20 mars, në stacionin policor Qendra në Prishtinë, është raportuar një rast për “kanosje”, ku viktimë e rastit ka qenë Nazlie Balaj, drejtuese e sekretariatit të gruas në Lëvizjen Vetëvendosje.Policia e Kosovës me të pranuar informacionin ka angazhuar të gjitha njësitet policore relevante për trajtimin e rasteve të kësaj natyre duke përfshirë , njësitet patrulluese, hetuesit policor dhe krimteknikën të cilët si provë materiale në vendngjarje kanë sekuestruar një letër kërcënuese e cila ishte e vendosur në hyrje të banesës së viktimës, thuhet në komunikatën e policisë.
Dëshmia e gjetur në vendngjarje është sekuestruar me qëllim të ekzaminimit të mëtutjeshëm.
Njësitet policore gjatë aktiviteteve hetimore të ndërmarra deri më tani, kanë realizuar dy intervista me viktimën si dhe janë duke hetuar të gjitha pistat e mundshme lidhur me rastin.
Policia e Kosovës bazuar në autorizimet dhe procedurat e saja ligjore është duke punuar intenzivisht në hetimin e të gjitha rrethanave të mundshme të cilat mund të rezultojnë me zbardhjen e këtij rasti.
Vlen të potencohet se Policia e Kosovës ka angazhuar edhe njësitin e sajë për vlerësimin e rrezikshmërisë ndaj viktimës, si dhe për shkaqe sigurie viktimës i është dhënë numri i njësisë së hetimeve, ku e njëjta është udhëzuar që për çdo rast, apo nevoje policore të kontaktoje direkt njësitet policore./Indeksonline/