E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtesat shumëkatëshe, pa rrymë e ashensorë

Në lagjen “Lakërishte” ka një muaj që banorët e ndërtesave kanë mbetur pa ashensorë, përveç kësaj banorët ballafaqohen edhe me mungesë të dritave nëpër korridoret e ndërtesave.

Kjo ka ndodhur si pasojë që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ua ka ndërprerë rrymën elektrike. Banorët e ndërtesave nuk e kanë paguar energjinë për ashensorë si dhe për drita të korridoreve. Banorët ankohen se nuk mund të ecin këmbë në katet e larta. Shumë blloqe të kësaj lagje e kanë të njëjtin hall, shkruan zëri. Ndërsa këto ndërtesa janë përmbi dhjetë kate, dhe çdo ditë banorët janë të detyruar që më gjera në dorë t’ua mësyjnë kateve më të larta.

Adnan Ibrahimi, banor i kësaj ndërtese, thotë se fajin e kanë banorët sepse nuk po i paguajnë shërbimet e KEK-ut.

“Ne si banorë nuk po i paguajmë shërbimet ndaj KEK-ut, dhe për këtë arsye ka ardhur deri të shkyçja e energjisë në ashensorë, problem tjetër është që në ndërtesë ka banorë që jetojnë më qira dhe nuk e shohin të arsyeshme që ta paguajnë ashensorin”, thotë ky banor.

Ndërsa Mustafë Kajtazi shprehet i mllefosur me këtë gjendje. Ai thotë se banorët janë të pandërgjegjshëm.

“Ka banorë që jetojnë në katin e parë të banesës. Ata nuk e shohin të arsyeshme që të paguajnë, mirëpo ata që jetojnë në katin e shtatë e më lart e kanë më se të domosdoshme që ta përdorin ashensorin. Besoi se një ditë do të vetëdijesohemi dhe t’i paguajmë shërbimet për rrymë”, ka thënë Kajtazi.

Ndërsa Nuhi Morina thotë se është pagues i rregullt i shfrytëzimit të ashensorit.

“E paguaj rregullisht shërbimin për ashensor, mirëpo kemi edhe problemin që si hyrje nuk jemi të koordinuar, nuk e kemi një përfaqësues që ta mirëmbajë jo vetëm ashensorin po edhe oborrin para ndërtesës, e shërbimet e tjera. Për këtë që nuk po e kemi një përfaqësues po vjen deri të kjo gjendje” , ka thënë Morina.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës, zëdhënësja Eglantina Hoxha ka thënë se KEK-u i trajton në mënyrë të barabartë të gjithë konsumatorët vetëm se ata duhet që t’i kryejnë obligimet ndaj korporatës.

“KEK-u trajton të gjithë konsumatorët në mënyrë te barabartë . Çdo njësor i cili ka shpenzuar duhet të paguhet përndryshe do te shkyçet nga rrjeti. Në momentin që kryhet pagesa e shpenzimit të përbashkët i cili në ketë rast janë edhe ashensorët, ata do të kyçen në rrjet”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa nga Komuna e Prishtinës, për këtë çështje thonë se përgjegjëse është Bashkësia e pronarëve.

“Për vendimmarrje dhe administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesë përgjegjës është Bashkësia e pronarëve ose përfaqësuesit e pronarëve dhe organet e zgjedhura administruese si këshilli administrues dhe administratori. Administratori është i autorizuar dhe i përfaqëson pronarët, si dhe kujdeset për përmbushjen e të drejtave dhe detyrimeve të përcaktuara me ligjin në fuqi, respektivisht marrëdhëniet kontraktuese me personat e tretë”, ka thënë zyrtari i komunës Asdren Osaj./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›