Policia shpëton të moshuarin nga flakët në Korçë, Proda: Akt fisnik!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka dërguar një mesazh falënderimi për tre punonjës të Patrullës së Përgjithshme në DVP Korçë, të cilët treguan guxim dhe profesionalizëm duke shpëtuar një të moshuar të rrethuar nga flakët në një lagje periferike të qytetit.
Proda shprehet se efektivët rrezikuan jetën duke u futur mes flakëve dhe shpëtuan një të moshuar që ishte rrethuar nga zjarri dhe rrezikonte të asfiksohej e të digjej, në një lagje periferike të Korçës.
“Jam thellësisht i emocionuar dhe krenar për sakrificën dhe humanizmin tuaj. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie, dhatë një shembull të shkëlqyer të misionit të Policisë së Shtetit,” theksoi drejtori Proda në mesazhin e tij. Efektivët Laura Leka, Aurel Jesku dhe Klodian Dulellari ndërhynë pa hezitim në një situatë të rrezikshme, duke rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar qytetarin që rrezikonte të asfiksohej dhe digjej.”
Ky akt i trimërisë, vijon Proda, vjen si një dëshmi e përkushtimit të strukturave të rendit ndaj jetës së qytetarëve, edhe në situata ekstreme.
“Ky akt fisnik tregon më së miri se të jesh pjesë e Policisë së Shtetit është shumë më tepër se një detyrë, është një mision i shenjtë në mbrojtje të jetës. Për ne, shërbimi ndaj qytetarëve nuk është thjesht një përgjegjësi institucionale, por një thirrje e përditshme për të qenë pranë tyre, sidomos në momentet më të vështira.”
Duke i falënderuar nga zemra për shembullin e jashtëzakonshëm, Proda shprehet se efektivët e nderuan uniformë.
“Krenar për ju dhe për të gjithë efektivët e Policisë që e nderojnë Policinë e Shtetit me veprime që frymëzojnë dhe rrisin besimin e qytetarëve tek Policia. Suksese në përmbushjen e misionit tonë, sa të vështirë, aq edhe fisnik!”
/rtsh.al/