Policia vendos kordon sigurie para Kryeministrisë për protestën e PD, përplasje me Lapajn

TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Kreu i Nismës “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj prej disa ditësh po zhvillon një protestë para selisë së Kryeministrisë duke u bërë thirrje mbështetësve e qytetarëve për t’iu bashkuar. Këtyre protestuesve u është kërkuar sot nga Policia të zhvendosen nga trotuari në rrugë, gjë që ka sjellë edhe tensione e përplasje.
Protestuesit kanë kundërshtuar spostimin e tyre nga trotuari në rrugë, pas vendosjes së perimetrit të sigurisë nga forcat e rendit, në kuadër të masave që po merren për zhvillimin e protestës së njoftuar nga Partia Demokratike.
Ata janë përplasur me kordonin e sigurisë, ndërsa kanë tentuar të thyejnë edhe gardhin metalik.
Protestuesit kanë kundërshtuar ndërhyrjen e policisë duke pretenduar se janë jashtë gardhit të sigurisë.
Ndërkohë në orën 18:00 do të zhvillohet edhe protesta e përjavshme e Partisë Demokratike para selisë së Kryeministrisë.
Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme, me qëllim garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së tubimit, ndërsa ka njoftuar kufizim qarkullimi në disa akse rrugore.
Partia Demokratike ka paralajmëruar se nga 22 dhjetori, kur do të thërrasë protestën e parë kombëtare, protestat do të vijojnë deri në krijimin e një qeverie teknike.
/m.m/a.f/r.e/