E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia zbardh sherrin: Kreu i PS në Prezë, Kajmaku u kërcënua nga kushëriri i dytë

TIRANE- Zbardhet konflikti që kreu i Partisë Socialiste në Prezë, Lavdim Kajmaku, pati me kreun e komunës së Prezës, Ahmet Halili, katër ditë para se shtëpisë dhe biznesit t'u vihej flaka dhe sulmohej me armë. 

Policia e Tiranës, e cila po heton për dy ngjarjet e rënda që goditën familjen Kajmaku, ka mundur të hedhë dritë mbi përplasjen që kreu i PS-së së Prezës pati me Halilin, me të cilin ka edhe lidhje gjaku (kushërinj të dytë).

Burime të besuara për "GSH" thanë se Halili në sherr e sipër e ka kërcënuar Kajmakun, duke i thënë ndër të tjera se 'do të të djegim dhe nuk do të të lëmë më këtu'. Pas këtij konflikti verbal, shtëpia dhe biznesi i Lavdim Kajmakut janë përfshirë nga flakët në orët e para të së premtes që lamë pas, duke iu shkaktuar miliona euro dëme. 

Pa kaluar as 24 orë nga sulmi i parë, familja Kajmaku pësoi goditjen e dytë. Persona të paidentifikuar qëlluan me armë në drejtim të shtëpisë së Lavdim Kajmakut, si dhe i dogjën dy makina. Kreu i PS-së Prezë, Kajmaku, i lidhi dy sulmet me angazhimin e tij në politikë. Ai tha ndër të tjera se nuk ka konflikte personale, por ka pasur një mosmarrëveshje me kreun e komunës Prezë, i cili e akuzonte si 'porositësin' e një shkrimi denigrues në një gazetë të përditshme. Madje, për këtë shkak, kanë debatuar ashpër kur dy kushërinjtë janë përplasur rastësisht në rrugë. 
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në Gazeta Shqiptare)

(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›