E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polifonia himariote mahnit publikun në Korsikë

Gurpi polifonik i Bregut të Himarës është ftuar në edicionin e 7-të të takimit muzikor "Recontre de Coralisula", që po zhvillohet në Korsikë.

Takimet muzikore të Coralisulas u hapën dje në qytetin Ile Rousse në Korsike me grupin polifonik të Bregut të Himarës. Zërat e ardhur nga Himara magjepsën publikun korsikan. “Një sukses i jashtëzakonshëm”- u shpreh presidenti i takimeve të Coralisulas, z. Alexis Giuli. Artistët shqiptarë do të performojnë gjate tri ditëve të festivalit. Ky turne i grupit polifonik të Bregut të Himarës është një fryt i bashkëpunimit të shoqatës franko-shqiptare ‘Argjiro’ me Takimet e Coralisulas në Korsikë. Grupi i Bregut të Himarës është një grup polifonik i cili pason traditën e grupeve të tjera më të vjetër të Himarës, Pilurit, Dhërmiut, të bregdetit shqiptar. Ky grup ka debutuar në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 2004. Nën drejtimin e Kristo Cipës, grupi i Bregut të Himarës ka fituar çmime në Festivale të ndryshme si: Bylis Polifoni 2008, ISO POLIFONI Vlorë 2008, Berat 2008, Rapshtë 2009. Grupi është nderuar gjithashtu me titullin e Mirënjohjes së Labërisë. Vitin e kaluar Grupi i Bregut të Himarës mori pjesë në edicionin e 4-rt të Takimeve Muzikore të Dy Botëve në Kalanë e Gjirokastrës, të organizuar nga shoqata ‘Argjiro’. Grupi i Bregut të Himarës përbëhet nga Kristo Cipa, Eleni Joshi, Eleni Mërkuri, Dhimitraq Bala, Harilla Dhimo, Jani Qendro Zeneli, Foto Leka dhe Janaq Tata. Takimet e Coralisulas të korales korsikane Cantemu Inseme, zhvillohen nën drejtimin e Alexis Giuli. Prej shtatë vjetësh koralja Cantemu Inseme kontribuon për të krijuar ura lidhjeje kulture në hapësirën mesdhetare. Qëllimi i organizimit të këtyre takimeve muzikore është pikësëpari për të vendosur një lidhje shoqërore me traditën që është këputur prej kohësh si në Korsikë po edhe në vende të tjera. Repertori i zgjedhur i Takimeve Muzikore të Cantemu Insieme korrespondon me faktin për t’i bërë jehonë muzikës korsikane në të gjitha dimensionet: asaj tradicionale, folklorike dhe moderne. Gjithsej 100 koncerte janë organizuar në Korsike që prej vitit 2002.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›