E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika, politikanët dhe populli

foto-topalli-berisha-bodeNga Fitim Sula

Politika është prostitutë (kërkoj falje që nuk përdor dot fjalën tjetër). Ky pohim absurd është bërë sot në shoqërinë shqiptare refren i të gjitha bisedave, i të gjitha grupmoshave dhe fatkeqësisht i të gjitha shtresave shoqërore.

Me këtë refren kopil është ushqyer trupi i dragoit me emrin  halldup Tranzicion.

Me këtë refren bajat për njëzet e dy vite pjesa më e keqe e të quajturve intelektualë, ruajtën pozitën e tyre politike në pushtet.

Pushtete që totalisht kanë gjakosur keqas e në mënyrë të paskrupullt jetesën normale të një kombi. Kanë shpërfytyruar pamjen fizike të gjithë natyrës Shqiptare dhe përmbi gjithçka kanë dëmtuar rëndë mentalitetin e një populli për një jetesë civile.

Pa harruar që në mënyrë indirekte dhe të drejtpërdrejtë kanë ushqyer fenomenin e prostitucionit, gjakmarrjes, korrupsionit, ikjes nga sytë-këmbët të të rinjve dhe intelektualëve të papërkulshëm, e të tjera paudhësi që vetëm nga një armik mund ti presësh!

Po, politika është prostitutë. Ky refren bastard justifikon qëndrimin në pushtet të të pafytyrëve, atyre që shpërdorojnë pasurinë e mbarë kombit vetëm e vetëm për vete.

Që nga lindja e fëmijëve, rritja e tyre, shkollimi, punësimi që të gjitha harxhet për jetën e çdo qindarkë në xhepat e tyre (se normalisht rroga merret kur bën punën, e jo) është marrje me pa të drejtë nga pasuria e të gjithëve.

A nuk është shteti pasuria jonë e përbashkët!? Pyetja: Përse populli shqiptar është i varfër? të nxjerr në krye të një rruge të fshehtë përgjigjen: Sepse ata atje lart në fronet e gënjeshtërta të perëndive janë të mbi-pasur.

Po! Politika është prostitutë. Dhe ky refren mund të justifikojë gjithë klasën politike të derisotme me abuzimet me pushtetin në dëm të popullit. Dhe kuja ironike më e madhe është kur politikanët e derisotëm drejtojnë gishtin e mykur të tyrin nga paratë drejt popullit si një gabim i përjetshëm i natyrës njerëzore.

Në këtë moment, befas të vjen edhe një pyetje: Po drejtësia (dhe të shtrembrit e lindur gjenetikisht nga natyra e tyre)?

Po edhe ata me pafajësinë e tyre përsërisin të njëjtin refren; politika është prostitutë(më falni që).

Po në të vërtetë, a është politika prostitutë!?

Dhe përgjigja absolute është JO dhe vetëm JO.

Politika nuk është dhe nuk mund të jetë prostitutë kurrsesi. Politika nuk është prostitutë, por mjeti me të cilin një popull udhëheq vetveten për nga e mira.

Është arma e fuqishme për të drejtuar populli vetveten drejt një jete sa më të mirë të jetë e mundshme, dhe për një shumicë njerëzish  sa më shumë të jetë e mundur.

Kjo do të thotë që politikën duhet ta synojnë ata mentorë që vërtet duan dhe kanë aftësinë për ta çuar popullin për nga e mira e përgjithshme.

Dhe për këtë duhet marrja e pushtetit si mendësi dhe mundësi qeverisëse në ditët e sotme.

Por pushteti nuk është aq lehtë për ta marrë në duar, po kjo sdo të thotë që intelektualët (ku janë fshehur ?!) e mirë, të aftë dhe të ndershëm, të mos luftojnë për ta marrë në duart e tyre si armën e duhur e ta përdorin pa abuzuar me të në dobi të të gjithëve.

Indiferentizmi, apo refuzimi i pakuptimtë nga detyrimi për të dhënë kontributin e tyre në dobi të të gjithëve, nuk është gjë tjetër, përpos një burracakërie, është edhe tradhti ndaj popullit duke lënë pushtetin në duart e atyre që e kanë pasur deri sot.

Një pyetje lind: A nuk ka zgjedhur për pushtet populli më të mirën e atyre që i janë ofruar?

Një intelektual jo shqiptar ka thënë: Jeta është e rrezikshme, jo për shkak të atyre që bëjnë keq, por për shkak të atyre që i shikojnë dhe i lënë të bëjnë keq.

Me sa kuptoj ata që i lënë të bëjnë keq nuk është krejt populli, po ato që natyra i ka pajisur me aftësi të veçanta të shikimit, po që çuditërisht në Shqipëri akoma nuk po e kuptojnë fuqinë e tyre si racë superiore dhe të ngarkuar nga natyra për të marrë mbi shpatulla punë të mëdha. Disa pyetje të shqetësojnë në vazhdim: Po të kishin vepruar kështu (indiferentë, ikës i detyrimeve) ata që natyra i armatosi me mendjendritësi, vallë kështu do të ishte e sotmja e njerëzimit!? Po sikur intelektualët amerikanë, gjermanë, francezë, italianë, anglezë, rusë, japonezë, të kishin mbajtur të njëjtin qëndrim me popujt dhe vendete tyre, vallë do të ishin aty ku janë sot!? Sduhet harruar se Mesjeta e errët për më se njëmijë vjet nuk mori fund nga vetëlodhja, e as nga vetëmërzitia, por nga një përplasje e drejtpërdrejtë me dritën e fuqishme të Rilindjes.  Dhe e keqja nuk mund të luftohet në Shqipëri duke i ikur, as duke ndenjur nëpër kolltuqe të rehatshme në vendet e huaja e duke kërkuar lavdinë e munguar, po duke u munduar ta shërojmë kombin tonë me gjithë fuqinë e shpirtit.

Lëre pastaj kur mendojmë t’ia lëmë Shqipërinë për ta shëruar brezave që do të vijnë a thua se ata të nesërmit nuk do të jenë fëmijët tanë.

Nuk duhet me harru pra se e keqja e Mesjetës zgjati njëmijë-vjet në racën njerëzore, po mund të kishte zgjatur edhe më shumë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›