Shpirti i turmës dhe i askushmërisë
SHPIRTI I TURMËS bashkëjeton me njeriun dhe është tipar i historisë njerëzore, sepse njeriu në mënyrë të natyrshme është qenie shoqërore që kërkon përherë të shoqërizohet. Porse njohuria për të, përkujdesja ndaj këtij shpirti dhe mbi të gjitha shfrytëzimi i tij për qëllime të caktuara përbën anën tjetër të medaljes. Çështja madhore është se sa i theksuar është shpirti i turmës në shoqëri, sepse njeriu i brumosur me një mendësi të tillë ka në themel të mendjes së tij çiftin Sundimtari dhe Turma. Kjo është çështje madhore sepse mendimet dhe ndjenjat janë shfaqje të shpirtit të njeriut dhe janë pikërisht ato që përcaktojnë sjelljen e tij shoqërore, domethënë kufirin ndarës çfarë quhet e mirë dhe çfarë quhet e keqe. Sjellja dhe puna e njeriut janë dy gjëra të ndryshme por që njëkohësisht plotësojnë e bashkëshoqërojnë njëra tjetrën, ngase në fund të fundit ato bashkëshoqërojnë njeriun. Sjellja shoqërore është ajo që përcakton ngjarjet shoqërore, sepse njeriu bën atë që dëshiron të bëjë.
Njeriu në turmë ka një shpirt të ndrydhur, të pa lirë e të pa larmishëm dhe duke qenë në gjendje të tillë ai kundërvepron duke i lindur dëshira në skutat e shpirtit të tij për ta parë veten në krye të turmës. Shpirti i tij ngashëron, kridhet përqark, i frikësuar mban sytë e veshët hapur te të tjerët, frigon e idhtohet nga e mira e tjetrit, i sheh të tjerët detyrimisht të barabartë me vetveten, sheh në të tjerët aspak ndryshim nga vetvetja ose në rastin më të mirë ndryshime të parëndësishme. Ai ndjehet njësh me të barabartët e tij dhe vetëpërfytyrohet si përfaqësues i tyre. Ky shpirt i ngujuar në mënyrë natyrale kërkon hapje, liri dhe vet-dallueshmëri. Prandaj ai e anon ndërgjegjen e tij drejt njëshit, drejt unit, drejt vetëkuptimit me ndjenja të forta që ky vetnjësh kështu nuk ka vlerë dhe si rrjedhim i mbin dëshira që të duket mbi të tjerët ose, e thënë sipas mendjes së tij, mbi të barabartët e tij. Zgjidhja më e lehtë për të është mburrja ose bërja e tjetrit me turp. Ai gjithmonë është në kërkim të rastit për tu mburrur ose bërë tjetrin me turp, sepse ai ndjehet keq dhe i turpëruar kur nuk mburret apo kur nuk e turpëron tjetrin. Me ligësi, ai gjithmonë është në kërkim të thashethemit për tjetrin, sepse edhe vetë ai është një thashethem. Kështu, njeriu në turmë harxhon pa ndërprerje vëmendje dhe energji e tij për emocione të panevojshme dhe hamendje të papëlqyeshme, për ngacmime nervore të nxituara, për ëndërrime me sy hapur dhe thashetheme të pashtershme.
Njeriu në turmë e ka të pamundur të pranojë se jo çdo gjë është apo i përket çdonjërit dhe jo çdo njeri është për çdo gjë. Një mendësi e tillë nuk arrin të pranojë se veç punës së tij ekziston e duhet të ekzistojë edhe puna e të tjerëve dhe nuk vozit në mënyrë të atillë që puna e tij të plotësojë punën e të tjerëve ose puna e tij të plotësohet prej të tjerëve. Për një shpirt të tillë i mirë është, domethënë duhet të ekzistojë, vetëm guri i tij dhe jo muri i përbashkët. Ai vetëgjykon se është i pazëvendësueshëm dhe ka edhe raste që ai përpiqet ta prishë murin e përbashkët, sepse ka një shpirt të pabesë me aromë kalbëzimi. Një shpirt i tillë nuk përcjell respekt për të tjerët e midis të tjerëve, bile për të nuk ekziston dhe nuk duhet të ekzistojë edhe mendimi ndryshe, aq më tepër të kuptojë se kur respektohet mendimi ndryshe edhe bashkimi është më i fortë. E thënë më gjerë, një shpirt i tillë nuk pranon ndryshimin dhe ndryshueshmërinë, domethënë harmoninë, dhe si rrjedhim nuk pranon përparimin, madje e urren atë.
Njeriu në turmë kthehet pa e kuptuar në një narcist. Si i tillë ai kërkon me këmbëngulje në turmë vetëm pasqyrime të vetvetes; të tjerët janë njësoj për të, duhet të jenë kështu ose përndryshe të shndërrohen në të tillë. Pëlqyeshmëria për vetveten duke parë e prekur vetveten nga të gjitha anët e në tërë turmën është e pakufishme. Ndërsa narcistit të lashtësisë i duhej të qëndronte tërë ditën mbi një pellg të vogël me ujë të patrazuar për të parë vetëm vetveten e pasqyruar me qëllim që ti avullonte kënaqësinë e pëlqyeshmërisë së vetvetes, për narcistin e turmës pasqyra e vetvetes shtrihet në të katër anët e pafundme për sa kohë që ekziston turma e tij. Si e tillë kjo pasqyrë e nderë bëhet njëkohësisht mjaft e brishtë, lehtësisht e thyeshme dhe e thërrmueshme nga çasti në çast për shkak të madhësisë e shtrirjes së saj. Një kënaqësi e tillë e dhënë nga një pasqyrë e pafundme nuk mund të lëshohet apo të harrohet. Për ta ruajtur këtë gjendje, mjetet e vetme të narcistit të turmës janë: vigjilenca, smira, urrejtja dhe dhuna ndaj çdo drithërime të sipërfaqes së pasqyrës ujore, ndaj çdo tingulli sadopak të ndryshëm të dëgjuar, ndaj çdo njëshi tjetër në turmë dhe ndaj çdo ndryshimi që shfaq ky njësh. Në mënyrë të veçantë, narcisti i turmës hidhërohet thellë dhe mbushet me dëshpërim e urrejtje kur vëren ndonjë të mirë që i shkon apo i ndodh tjetrit. Për të, njëshat e tjerë në turmë nuk e meritojnë dhe nuk duhet tiu ndodhin të mira. Ai i përqesh të tjerët kur shprehen e shfaqen ndryshe, i pengon ato të ndryshojnë dhe të përparojnë. Për të, vetëm sundimtari i turmës, idhulli i tij, vetvetja e tij e dëshiruar, meriton të mira, prarim, vezullim e lartësi.
Një shpirt i tillë i jep vlerë vetëm të qenit mundues për të tjerët, i jep vlerë vetes vetëm duke ia ulur vlerën të tjerëve, i jep vlerë vetes duke përdhosur vlerat qytetare, kulturore dhe kombëtare të shoqërisë që i përket. Një shpirt i tillë njeh vetëm lirinë e tij të egër e të pakufishme. Ai është shpirtërisht pjesëmarrës në krimin apo tradhtinë që sundimtari (Mbinjëshi) i tij kryen. Ai nuk arsyeton për këtë dhe nuk e arsyeton mbinjëshin e tij, sepse ai vetë është sundimtari i ëndërruar pa qenë sundimtar. Ai dallon vetëm të drejta për veten e tij; për të ekziston vetëm liria e tij dhe jo e të tjerëve. Bile, kur mbaron ai duhet të mbarojnë edhe të tjerët. Një shpirt i tillë është i pangopur, i pakënaqur, i paqetë dhe rrjedhimisht mizor për të mbajtur gjallë pangopshmërinë e tij. Ai vetëmendon se është i pagabueshëm, i pacenueshëm, me të drejta absolute e liri të pakufishme. Ai nuk mban dhe nuk ndjen përgjegjësi për veten dhe të tjerët; një shpirt i tillë është, bie fjala, një Ali Pashë Tepelenë. Një shpirt i tillë synon që çdo gjë me vlerë të jetë brenda derës së tij, ai dëshiron dhe përpiqet të ndërtojë vetëm ishullin e tij, kullën e tij me frëngji. Atij nuk i intereson ambienti përreth dhe madje ai e sheh me armiqësi këtë ambient, sepse atij nuk i interesojnë gjërat e përbashkëta. Një shpirti të tillë i pëlqen të ndërtojë ishullin e tij të thepisur; ai ngazëllehet kur prish urat lidhëse dhe pret telat ndërlidhëse për të ndërtuar gardh përreth vetes së tij. Atij nuk i pëlqen bashkëjete
