E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika shqiptare e Facebook-ut

Eshtë bërë e përditshme dhe disi e lodhshme “moda” e deklaratave dhe reagimeve të politikanëve në rrjetin social, Facebook. 

Politika shqiptare ka marrë trajtën e një bashkëbisedimi kaotik virtual, ku çdonjëri shkruan ç’t’i vijë në mendje për momentin, shpesh zbraz edhe mllefet personale mbi kundërshtarin politik, dhe jo vetëm, pastaj vetëkënaqet me “like” e komente dhe me faktin që postimet shndërrohen menjëherë në lajme mediatike. 

E keqja më e madhe është se së fundi në Facebook po bëhet edhe politika ndërkombëtare dhe ajo rajonale. 

Jo më larg se dje zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Kurkulas bëri një deklaratë të rëndësishme zyrtare, ku i dërgonte një mesazh qeverisë së Tiranës, se hyrja në BE kushtëzohet nga respektimi i pakicave, etnike, fetare e kulturore dhe pasurive të tyre, deklaratë që MPJ greke e publikoi edhe në faqen e saj të internetit. (Greqia në 2014 merr presidencën e BE për 6 muaj) 

Lidhur me këtë qëndrim, Ministria jonë e Jashtme nuk pati ndonjë përgjigje zyrtare, por si e tillë u konsiderua nga mediat, një postim në Facebook i zëvendësministrit të Jashtëm shqiptar, i cili shkruante: “I pabazë pretendimi i zv-ministrit të jashtëm grek, për respektimin e komuniteteve fetare në Shqipëri. Në çdo plan historik apo aktual, individual apo shtetëror, shqiptarët dhe Shqipëria kanë qenë e janë model i harmonisë e tolerancës ndërfetare... Në këtë plan, Shqipëria mund t’u japë leksione harmonie e bashkëjetese fetare shumë vendeve të BE dhe ndër me të parëve Greqisë...”. 

Nuk po analizoj këtu komentin e zëvendësministrit edhe pse personalisht nuk shoh ndonjë gjë të kritikueshme në të. Problemi qëndron se përse një qëndrim i tillë nuk artikulohet zyrtarisht para mediave, ose nëpërmjet një deklarate zyrtare, që mban vulën e ministrisë së Punëve të Jashtme? 

Duhet të mbajmë parasysh se publikimi i postimeve të qeveritarëve tanë nga mediat shqiptare, mund të konsiderohet nga diplomacia e huaj si reagim i “Tiranës zyrtare” dhe në varësi të përmbajtjes mund të krijojë keqkuptime ose incidente. 

FB është një rrjet social ku gjithkush ka hapësirën e tij dhe mund ta përdorë atë si të dëshirojë, por jo të bëjë aty politikat e mëdha të vendit.

Nëse hedh një sy në profilet e përdoruesve të FB, sheh statuse nga më të bukurit, nga më të mënçurit dhe kuptimplotët për çdo gjë që ndodh në Shqipëri dhe botë. Shumë prej tyre ua kalojnë edhe komenteve të ministrave e zëvendësministrave, por janë këta të fundit që për shkak të detyrës, duhet të artikulojnë zyrtarisht qëndrimet në emër të shtetit shqiptar, gjë që duhet ta bëjnë me seriozitet e përgjegjësi të plotë. 

E ndoshta nuk është rastësi që politikanët tanë përdorin Facebook-un, për të bërë deklaratat e tyre. Ata e preferojnë Facebook-un, jo vetëm se iu pëlqejnë lajkatimet e miqve, por sepse ndoshta iu mungon kurajoja politike, pasi postimet mund t’i fshijnë kur të duan dhe përgjegjësia për ato që thonë nuk është zyrtare, pavarësisht se pasojat që shkaktojnë mund të jenë tepër të mëdha.

Kujtoj këtu efektet që shkaktoi postimi në FB i nëndrejtorit të policisë Erzen Breçani, i cili kur e kuptoi përmasën e asaj që ishte shkruar tha se dikush kishte hyrë në profilin e tij dhe e kishte hakeruar. Nuk po e përjashtoj edhe këtë mundësi, po të kemi parasysh se edhe vetë profili i krijuesit të rrjetit Mark Zukerberg, u hakerua pak ditë më parë nga një i ri palestinez, që donte të vërtetonte pasigurinë e rrjetit social.

Për të gjitha këto arsye, është koha që politika shqiptare të bëhet pak më serioze, të mbajë parasysh se për çështje të mëdha ka parlament, ka deklarata shtypi, ka nota zyrtare, ka ambasada, televizione, gazeta, fletore zyrtare etj.

Nuk jam duke thënë se politikanët e qeveritarët duhet të largohen nga Facebook-u. Jo, përkundrazi. Edhe ata duhet të jenë aty, të mësojnë e të shprehen mbi atë çfarë mendon publiku i gjerë rreth politikave të tyre, të ngritura me seriozitet e përgjegjësi në institucionet përkatëse.
(Gazetashqiptare/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›