Politika uron besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin: Gëzuar festën e shpresës e besimit

Politika uroi sot besimtarët myslimanë në përfundim të muajit të shenjtë Ramazanit për festën e Fitër Bajramit.
Presidenti Bajram Begaj uroi sot besimtarët myslimanë në përfundim të muajit të shenjtë Ramazanit për festën e Fitër Bajramit.
Në një mesazh që shpërndau në facebook, Presidenti Begaj, shpreh urimet që kjo festë t’i gjejë besimtarët myslimanë me afër Zotit, me gëzim, begati e devotshmëri për vepra të shtuara të mira.
“Bajram të bekuar për të gjithë myslimanët, ata që agjëruan dhe ata që nuk mundën, por që me lutje i janë afruar Zotit përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Uroj që ky Fitër Bajram t’ju gjejë me shpirt të pastër, me gëzim, begati e devotshmëri për vepra të shtuara të mira. Kjo ditë shenjon shpresën dhe besimin se durimi, përpjekja dhe solidariteti njerëzor shpërblehen. Zoti ju bekoftë dhe ju udhëzoftë në rrugën e drejtë!”, shprehet Begaj.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka uruar festën e Fitër Bajramit përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“MIRËMËNGJES. GËZUAR FITËR BAJRAMIN”, shkruan kreu i Qeverisë Rama.
Kreu i Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar besimtarët myslimanë në përfundim të muajit të shenjtë Ramazanit për festën e Fitër Bajramit.
Në një mesazh që shpërndau në facebook, Lindita Nikolla shkruan se, ”pas një muaji sakrificash, solidariteti, vetëreflektimi e gëzimesh, besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fitër Bajramit.
Bajrami i Madh, si një festival humanizmi, na rikujton se sa pasuri e pamasë është dhimbsuria e Zotit, liria e besimit, dashuria për familjen e për njerëzit, shërbimi për të dobtit.
Diversiteti i besimeve dhe patriotizmi i komuniteteve fetare është një pasuri e çmuar për Shqipërinë.
Gëzuar Fiter Bajramin, vëllezër myslimanë!
Veliaj uron Fitër Bajramin: Begati, paqe dhe harmoni në familjet tuaja
Në përfundim të muajit të shenjtë të Ramazanit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi të gjithë besimtarët gëzuar Fitër Bajramin. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shkruan: “Pas një muaji reflektimi dhe sakrifice, ju uroj gëzuar Bajramin me zemrat plot begati, paqe dhe harmoni në familjet tuaja”. Ndërkaq, për faljen e besimtarëve, parkingu në sheshin “Skënderbej” mëngjesin e sotëm ka qenë pa pagesë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari i PD, Lulzim Basha ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë festën e Fitër Bajramit dhe agjërim të pranuar agjëruesve.
“Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin, festën e madhe të shpresës dhe besimit! Mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, fuqia e besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë. Zoti ua pranoftë agjërimin e adhurimet e muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fitër Bajramin”, shkruan në meazhin e tij kreu i PD-së, Lulzim Basha
/rtsh.al/