Politikat për turizmin - fjalë dhe vetëm fjalë
Pirro Naçi
-Të kuptohemi, etiketimi i mësipërm nuk i drejtohet as atyre që janë në ikje dhe as atyre që përgatiten të vijnë për të drejtuar zhvillimin e turizmit në vendin tonë. Me të parët, ndoshta në këto momente të fundit do të ishte disi e “pandershme” të vazhdonim të bënim kritika, sugjerime, vlerësime etj., etj.. ǒu bë u bë, dhe siç thotë një shprehje popullore “i mori lumi”. Me të dytët, deri tani nuk i kemi provuar, fjalë të bukura dëgjojmë- dhe siç thonë edhe nga Jugu “në trastë, shpresojmë që në vend të gurëve të vënë bukë”.
Pra “fjalë të bukura dhe bukë në trastë”- ky është edhe urimi dhe shpresa jonë për ekipin e ri që do të drejtojë politikat e turizmit për katër vitet e ardhshëm. Por do të doja të qëndroja dhe të shprehja disa mendime për një faktor tjetër, që është i lidhur ngushtë me dy të parët dhe që ka po aq rëndësi dhe përgjegjësi pothuajse sa edhe ata: Bashkimi Evropian dhe politikat ndaj Turizmit. Të bëjmë një parantezë. Viti 2013 është shpallur nga BE si Viti Evropian i Qytetarit. Pak kohë më parë në disa vende evropiane është hapur bashkëbisedimi: “E ardhmja e Europës- bashkohuni në debat”. Në vazhdim priten të bëhen edhe 20 takime dhe bashkëbisedime të tjera. Tani është shansi siç bën thirrje BE-ja për të shprehur gjithsecili mendimin e tij për politikat e ndjekura, për sugjerimet dhe për propozimet e reja, për kritikat që mund të bëhen për një Europë më të mirë për të ardhmen. Në këtë kontekst le të qëndrojmë tek turizmi. Ndoshta Shqipëria nuk është bërë akoma anëtare e këtij komuniteti, por edhe me statusin që ajo gëzon, deri më tani, në një farë mase, ka përfituar një ndihmë ekonomike dhe teknike pothuajse të konsiderueshme. Nuk po ndalemi këtu në cilat degë dhe drejtime ka shkuar kjo ndihmë. Në mënyrë të tërthortë diçka ka përfituar edhe turizmi. Por në kontekstin thjesht turizëm jemi në kuotën zero, si nga ana e Komisionit Europian, ashtu edhe nga ana e jonë.
Politikat që ka ndjekur dhe po ndjek Komisioni, përsa i përket Shqipërisë në këtë fushë, janë pa një perspektivë të qartë, pa fantazi, shumë globale dhe të përgjithshme. ?adje jo vetëm për Shqipërinë. Për të mos u zgjatur shumë, mjafton të përmendim një fakt mjaft të thjeshtë. Çdo qytetar europian që do të vizitojë faqen zyrtare elektronike të Komisionit Europian dhe do të njihet me Shqipërinë, diku në këtë faqe do të gjejë edhe informacion viziv. Është një promovim i Tiranës dhe i Shqipërisë nga këngëtarja Roselda Gjylbegu qysh prej vitit 2010, si dhe disa foto të pakuptimta. Fakte të tilla nuk kanë koment. A thua se koha ka mbetur 3 vjet mbrapa. A thua se me Shqipërinë punohet me një kalendar tjetër. A thua se Bashkimi Europian me Shqipërinë kanë kontradikta për zbatimin në praktikë të kalendarit Julian apo Gregorian. Për vendin tonë Turizmi është një nga degët kryesore të ekonomisë dhe do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen.
Nga ky këndvështrim, si Komisioni Europian, ashtu edhe Ministria e Turizmit mund të hedhin hapa konkrete. Si? A ka mundësi të bëhet kjo? Padyshim që po. Shqipëria, pothuajse në fund të 8-vjeçarit do të bëhet anëtare e këtij komuniteti. Ndihma do të jetë akoma edhe më e madhe. Ashtu është vepruar edhe me vendet e tjera. Por ka ardhur koha për të menduar jo siç është vepruar deri më sot. Ndihmën që do ta marrim pasi të bëhemi anëtarë le të shikojmë mundësinë të paktën në sektorin në fjalë ta përfitojmë gjatë rrugëtimit. Pra brenda 8 viteve rrugën le ta piketojmë së bashku, le ta gërmojmë së bashku, le ta shtrojmë dhe asfaltojmë së bashku. Buxheti i BE-së për vitet 2014-2020 nuk e parashikon një gjë të tillë, megjithëse grantet për vendin tonë janë fare, fare të vogla. Por BE le të aplikojë edhe diçka tjetër që nuk e ka bërë deri më sot. Nuk ka se çfarë të humbasë. Ne dhe Kosova kemi mbetur, të fundit jemi. Por arritja e këtij qëllimi kërkon një përgatitje dhe plan konkret nga Ministria e Turizmit.
Zoti Ambasador i BE-së, a mund të ndihmoni edhe Ju në këtë drejtim? A mund të veproni edhe për këtë problem ashtu siç vepruat për çështjen “Rome”? Shumë i drejtë dhe i saktë qëndrimi i juaj. Por këtu nuk mund të lë pa përmendur, meqë ra fjala, deklaratat për mediat që Ju bëtë: “Kujdes, BE-ja ka dhënë 3 milionë euro.....është një nga 12 pikat....për ‘tu futur në Europë”. Pra, për çdo problem që lind apo krijohet, na tregoni kufirin te thana. E njëjta gjuhë si para votimit të 3 ligjeve në Kuvend, ashtu edhe më pas, si para zgjedhjeve ashtu edhe pas tyre, tani kemi Romët, nesër mund të dalë diçka tjetër, si para një viti ashtu edhe para 10-vjetëve. Madje- madje, këto politika, për t’i dhënë edhe një dozë humori, na kujtojnë shumë e shumë vite më parë, atëherë kur fuqitë europiane na tregonin kufijtë në 1913, dhe hidhnin fall se cili burrë europian do të drejtonte këtë shtet. Historia nuk harrohet. Problemi rom është një problem teknik, një problem administrativ, një problem i zgjidhshëm nga administrata shtetërore. Nuk ka nevojë për deklaratat që ne përmendëm më lart. Por le të kthehemi përsëri tek turizmi dhe BE.
Siç dihet 28 Komisionerët, një nga çdo shtet, sigurojnë udhëheqjen politike për 5-vjet. Çdo komisioner është caktuar përgjegjës për fusha politike të veçanta. Turizmi akoma edhe sot nuk ka komisionerin e tij, një nga degët kryesore të ekonomisë Europiane. Ai është nën juridiksionin e komisionit të industrisë, një komision gjigant, që pothuajse menaxhon më shumë se 45 % të buxhetit Europian. Ashtu siç ka komision për klimën, për peshkimin, për shëndetësinë, për punësimin, për arsimin, kulturën, për tatimet dhe doganat, për mjedisin, për zhvillimin, a nuk duhet parë mundësia nga përfaqësuesit evropianë për një komision vetëm për turizmin dhe politikat e tij? Zonja ministre e Turizmit ky propozim mund t’i përcillet organeve qendrore të BE-së edhe nga ana e juaj, madje- madje do të shtoja, kur të vijë ora e mirë dhe ne të anëtarësohemi, Komisioneri Shqiptar të jetë përgjegjës për Turizmin.
Le t’ia kërkojë këtë Europës dhe ajo le të bëjë të sajën, le t’i tregojmë se jemi të vendosur për diçka dhe se kemi synime dhe objektiva të qarta. Shpresoja pak muaj më parë se me futjen e Kroacisë mund të ndodhte një diçka e tillë, por nuk ndodhi kështu, atyre ju caktua komisioneri për politikat e konsumatorit. Megjithatë le të shpresojmë. Por, kam mendimin se edhe tani mund të bëhet diçka. Nga 28 Komisionerë, 8 prej tyre kanë edhe titullin e zv/Presidentit, pra rreth 30% së bashku me Baroson. Me një rikompozim të ri, të logjikshëm dhe më praktik, s’ka pse të ketë komisioner edhe për Mjedisin, edhe për Klimën, edhe për Energjinë dhe të mos ketë për Turizmin. Situatat e reja europiane gjendja ekonomike, e shumë faktorë të tjerë kanë ndryshuar dhe po vënë në rrezik dhe po e kërcënojnë Bashkimin Evropian.