E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenia, e gatshme të ndihmojë integrimin e Ballkanit

16-08-2013 / “Southeast European Times”

Përvoja e Sllovenisë si pjesë e ish-Jugosllavisë dhe statusi i saj si një anëtar i Bashkimit Evropian do të ndihmojë vendet e Ballkanit

Përvoja e Sllovenisë me integrimin evropian ofron një shembull ndaj vendeve të tjera të Ballkanit e zyrtarët kanë sinjalizuar se vendi do që të jetë më aktiv në ndihmën ndaj vendeve kandidatë të BE-së. President Borut Pahor konfirmoi gjatë vizitës së tij në Shkup muajin e kaluar se Sllovenia është e interesuar të shohë rajonin të përparojë në rrugën e BE-së. "Dëshira ime është të kuptoj gjendjen në të cilën jo vetëm Maqedonia, por gjithashtu vendet fqinjë, e gjejnë veten, sepse gjendja e tanishme besoj se do të thotë të shkosh së prapthi," tha Pahor. Sllovenia u bë anëtare e BE-së më 2004 pas një procesi bisedimesh prej gjashtë vjetësh. Ajo u bashkua me zonën euro më 2007. Sllovenia ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në Ballkanin Perëndimor për shkak se ishte pjesë e Jugosllavisë e i njeh shumë mirë problemet që vendet ndeshin, sipas Zoran Dragishiç, profesor në Fakultetin e Sigurisë në Beograd. "Vendi mund të ofrojë ndihmë të rëndësishme teknike në procesin e bisedimeve me BE," tha Dragishiç. Ai Dragishiç tha se vendet rajonale do të humbasin një mundësi në qoftë se nuk llogarisin përvojën e Sllovenisë në organizimin e bisedimeve të anëtarësimit me Brukselin. "[E rëndësishme është] sesa shumë njerëz do të marrin pjesë në bisedime, sepse vetëm në Kroaci u përfshinë më shumë se 10,000 vetë," tha Dragishiç. Zëri i Sllovenisë është i respektuar në Bruksel e më tej dhe mund të ndihmojë aspirantët për anëtarë të BE-së duke ndarë përvojën e saj, tha Dimitar Mirçev, ish-ambasador i Maqedonisë në Slloveni. "Sllovenia mundet gjithashtu të ndihmojë duke mbajtur një qëndrim në Bruksel, në takimet e nivelit të lartë të Këshillit Evropian, në komitetet ku ka komisionerët e saj si dhe nëpërmjet përfaqësuesve të saj në Parlamentin Evropian," tha Mirçev. Sllovenia duhet të jetë lehtësues i proceseve të integrimit në BE për vendet e ish-Jugosllavisë sepse është e respektuar në BE, tha Behlul Beqaj i Fakultetit të Shkencave Politike në Prishtinë. "Vendet rajonale duhet në mënyrë të veçantë të ndjekin shembullin e Sllovenisë lidhur me reformat e administratës publike e një gjyqësor të pavarur," tha Beqaj. Sllovenia ka qenë partneri strategjik i Maqedonisë që më 2004 kur të dy vendet nënshkruan një marrëveshje mbi zhvillimin e bashkëpunimit e Sllovenia ofroi 1.5 milionë euro në ndihmë dypalëshe për projekte që ndihmojnë qeverinë maqedonase e sektorin publik. "Zbatimi i projekteve kontribuon ndjeshëm në përmirësimin e kushteve të jetesës, ekonomive vendore e mbështetjes për OJQ-të me OJQ-të sllovene," tha zëdhënësi për partinë Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet në Maqedoni. Osmani tha se përfitimet e ndihmës teknike nuk janë të kufizuara vetëm në marrëveshjet që vendet mund të arrijnë, por vendet kandidate mund të përdorin të gjitha ato që duhen për të çuar përpara reformat gjithashtu si edhe pozitën e tyre të bisedimeve të BE-së.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›