Politikë në moshën e medias
Demokracia shqiptare po rëndohet dukshëm me një model të ri të politikëbërjes, në përpjekje të legjitimimit të veprimeve të saj. Bëhet fjalë për përpjekjet (shpeshherë qesharake) për të anësuar trupin diplomatik në Shqipëri, në betejën politike të radhës. Kështu, shohim politikanë të caktuar (çuditërisht me profil të ngjashëm prej vullnetari), që flasin pa pikë zori si zëdhënës të ambasadorëve, duke sulmuar politikisht rivalin e radhës, a thua se vetë ambasadorët e kanë problem të shprehin lirshëm atë që mendojnë. Nga ana tjetër, shohim se si të tjerë politikanë (pak më të sofistikuar në stil) shfaqen pa dashje në lajmet e televizioneve e gazetave, për shkak se kanë gjerbur një kafe apo kanë shijuar një vakt me ambasadorin e shtetit më të fuqishëm në Shqipëri, atë amerikan, zbulime këto që ndodhin mu në qendër të Tiranës.
Edhe pse nuk duhet të jesh diplomat për të kuptuar se takime të tilla janë pjesë organike e detyrës së një ambasadori, por edhe pjesë e vetë formimit të çdo njeriu si qenie sociale, këto lloj lajmesh marrin një vëmendje të veçantë në varësi të situatës politike në vend, si një ushqim i shijshëm për mediat e publikun, por edhe një bonus për individin që vihet në qendër të takimit. Interesant është se burimet janë gjithnjë jopublike, por lajmi e gjen vetë rrugën për të goditur në shënjestrën e duhur, që është media, e cila, edhe në kuadër të misionit të vet, e përcjell tek opinioni qytetar, duke u kujdesur të evidentojë mirë protagonistin vendës e duke matur edhe kohëzgjatjen e takimit. Kështu, lajmi merr udhë dhe është opinioni qytetar ai që vazhdon interpretimin e arrin edhe konkluzionet mbi domethënien e këtyre takimeve, të cilat përkthehen gjerësisht si mbështetje amerikane.
Sa më shumë i afrohemi Bashkimit Europian, aq më të forta bëhen kriteret e vlerësimit për Shqipërinë, e përballë rezistencës së klasës politike për ta kryer si duhet misionin përballë qytetarëve, po mësohemi ti shohim sistematikisht e publikisht në aksion edhe ambasadorët e huaj në vend, me qëndrime të spikatura në momentet më kyçe. Dy ambasadorët amerikanë në Shqipëri, z.Arvizu dhe paraardhësi i tij, z.Uidhers, e kanë përsëritur publikisht se përfaqësojnë në çdo hap, qeverinë e SHBA, pra jo opinionet personale dhe kjo është një praktikë diplomatike dhe jo politike e një vendi të caktuar, qoftë ky edhe shteti më i fuqishëm.
Do doja të ndaja me lexuesin një moment të ngjashëm, një intervistë që kam zhvilluar në nëntor të vitit 2001 në Pogradec, me ambasadorin e atëhershëm të SHBA në Shqipëri, të ndjerin Jozef Limpreht. Ishte koha kur përplasja Nano-Meta kishte marrë përmasa publike me akuza e kundërakuza, ndërsa Partia Demokratike në opozitë kishte deklaruar bojkotimin e Parlamentit. Në atë vjeshtë të nxehtë politike, po binte në sy prania e ambasadorit Limpreht në krah të kryeministrit Nano, në aktivitete e përurime të ndryshme.
Nuk di se përse ambasadori Limpreht zgjodhi një TV lokal për të folur mbi situatën politike, por natyrisht që evidentimi i pranisë së tij publikisht në krah të kryeministrit Nano ishte pyetja më e kërkuar nga çdo gazetar. Pyetjes sime të drejtpërdrejtë, se cili ishte roli dhe ndikimi i tij te politikanët shqiptarë dhe a mendonte se prania publike e ambasadorit amerikan interpretohej si mbështetje publike ose si një pasaportë që lejonte vazhdimësinë e së njëjtës sjellje politike të kontestuar nga palët, ambasadori Limpreht i dha një përgjigje që sot tingëllon interesante, pasi është krejt e njëjtë me ato që kanë dhënë edhe ambasadorët Uidhers e Arvizu, të pyetur në të njëjtin kontekst. Do thosha, siç e thatë edhe ju, se të gjithë thonë se unë i mbështes Është pjesë e jetës në Shqipëri Por ka dy probleme me këtë. Njëri është se unë nuk përfaqësoj veten time personalisht, kur flas me politikanët ose me qeverinë, unë përfaqësoj qeverinë e SHBA dhe politikat e saj. E dyta, që është shumë e rëndësishme për tu theksuar, është se kur unë takohem me politikanët, qoftë publikisht, qoftë privatisht, unë asnjëherë nuk flas më pas mbi atë për të cilën kemi biseduar. Prandaj, kur njerëzit thonë se ambasadori amerikan tha këtë ose atë gjë, unë do isha shumë i kujdesshëm. Kur ne kemi për tu dhënë një mesazh qytetarëve të Shqipërisë, ne e bëjmë atë qartazi, si në deklarimet tona, ose në komentet e mia për shtypin. Dhe është e rëndësishme që të theksoj edhe një pikë tjetër në këtë kontekst, se ne nuk përzgjedhim individë për të favorizuar, ne nuk mbështesim as njërën palë e as tjetrën, ne mbështesim procesin dhe kjo nënkupton procesin drejt demokracisë dhe procesin drejt integrimit në institucionet perëndimore.
Ajo që z.Limpreht ka sqaruar në fund të 2001-shit, kur kishte rreth dy vjet në detyrë në Shqipëri, i ngjason pikë për pikë asaj diplomacie tradicionale që kemi parë të shpaloset edhe së fundmi, si me takimet ashtu edhe me shpjegimet e vetë diplomatëve të huaj. Diplomacia tradicionale konsiderohet si formale, institucionale, ndërpersonale, e ngadaltë dhe zakonisht e mbrojtur nga sekreti (Nicholson, 1963). Por politika shqiptare nuk dorëzohet aq kollaj, duke tejkaluar masën e strategjive të komunikimit politik, në përpjekje të palodhur për të marrë pak legjitimitet ndërkombëtar, në partneritet me pushtetin e katërt.
Moda aktuale e vëmendjes këmbëngulëse të medias e ka revolucionarizuar si asgjë tjetër zanatin e politikës në funksion të ngushtë përfitimi. Ndryshimet e raporteve në politikë e komunikimin masiv e kanë zgjeruar së tepërmi rolin e medias në demokraci. Revolucioni i komunikimit e teknologjisë së informacionit, mundësia e përcjelljeve të ngjarjeve në kohë reale nga çdo cep i vendit dhe shtrirja e internetit ka çuar në globalizimin e komunikimit politik e atij mediatik.
Këto ndryshime revolucionare kanë ndryshuar edhe të kuptuarit e fuqisë në botën aktuale të politikës. Media po përdoret si një pushtet i butë, si aftësia për të arritur rezultatet politike të dëshiruara përmes joshjes, më shumë sesa format më tradicionale të fuqisë. Kjo pasi informacioni ka të njëjtin efekt me një kërcënim me luftë, e për më tepër, ka kosto më të vogël. Duke u shndërruar në një burim kryesor informacioni, media vizive dhe ajo e shkruar është bërë arma e padukshme në botën e politikës, duke diktuar shpeshherë natyrën dhe burimet e fuqisë e ndikimit, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Aq shumë impenjohen aktorët politikë në shijimin e kësaj mundësie që u jep media, saqë po harrojnë komunikimin fizik me qytetarin, aty ku idetë që përcillen duhet të jenë me këmbë në tokë. Komunikimi virtual me qytetarin është shndërruar në një mani gjithëpërfshirëse, duke pushtuar orë të tëra transmetimesh televizive, faqe gazetash e interneti, duke lënë shumë pak ose aspak hapësirë për qytetarin e problemet e tij (zëri i të cilit merret me mend) e, për të kuptuar atë, politika e përcjell si impenjim për të.
Nga ana tjetër, ky zhvillim i teknologjisë ka krijuar një hapësirë edhe për qytetarin. Jo aq dukshëm sa politikanët, zëri i qytetarit dëgjohet në komunikimet e tipit vox pop-e në televizione apo në forumet e shumta në internet. Dhe ai zë nuk është në sinkron me atë çfarë dëgjohet nga politikanët në transmetimet live, apo në mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Valter Lipman, një gazetar i famshëm amerikan i shekullit të kaluar, i njohur për antikonformizmin e tij dhe distancimin me politikën, shkruante se njerëzit nuk mund të sillen pa fund në një mënyrë që e dinë se është në kundërshtim me mjedisin, siç e perceptojnë vetë. Për Lipman, tri janë mundësitë e reagimit ndaj kësaj situate. Ata mund ta injorojnë pacipësisht, duke dëmtuar kështu edhe veten në këtë proces, duke zhgënjyer edhe të vetët; ata mund ta marrin parasysh situatën, por të refuzojnë të veprojnë e kështu do kenë kosto të brendshme, ose vëren L
