E Diel, 1 Nëntor 2026

Fevziu apo Enveri?

Elvin Luku

Ditët e fundit, në ambjentet e sallës Balsha të Hotel Tiranës, poeti Preç Zogaj prezantoi librin me poezi Ngjarje në tokë. Në sallë kishte vetëm disa shkrimtarë e publicistë. Nuk kishte as qeveritar, as politikanë, as darkë, apo kokteil. Në datën 20 dhjetor, ditën e promovimit të librit Enver Hoxha, me autor gazetarin Blendi Fevziu, të organizuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, morën pjesë qindra të ftuar, mes të cilëve edhe Kryeministri, Kryeparlamentarja, ministrat e kabinetit qeveritar, Kryetari i Bashkisë, Ish-kryeministri me bashkëshorten, etj, pra, thuajse gjithë Protokolli i Shtetit. Ka akoma: numrat një të ambasadave, mes të cilëve ambasadori i SHBA-ve, ai i BE-së, ai i OSBE-së. Më tej: Politikanë të lartë nga Kosova, si Kryeministri, Zv/Kryeministri, Ministri i Jashtëm, i Kulturës, e Integrimit etj; Në mbrëmje, të ftuar ishin edhe politikanë të pozitës, politikanë të opozitës, biznesmenë, drejtorë, guvernatori i Bankës dhe ish-guvernatorët; profesorë, shkrimtarë, gjyqtarë, princa, soprano, këngëtarë, e të tjerë e të tjerë personalitete VIP e kolegë të autorit të këtij botimi.

Të ftuarve në këtë promovim iu servirën dy lloje pijesh, verë e shtrenjtë dhjetëra vjeçare dhe shampanjë spumante; të gjitha damat morën dhuratë nga një çantë dhe një set filxhanësh kafeje; një përmasë luksit ia shtonte edhe muzika e dhomës, që luhej nga familja Qerimaj. Për të qetësuar kureshtjen e një pjese të mirë të të ftuarve, por edhe të shikuesve, që u magjepsën nga ekrani, konfirmojmë që Fevziu nuk është fukara. Por, kush e mblodhi Protokollin e Shtetit, krerët nga Kosova e Maqedonia, trojkën dhe të tjerët? Ti ketë mbledhur, vallë, urrejtja për diktatorin? Edhe mundet, por gjer më sot janë botuar jo pak libra pro apo kundër Enver Hoxhës. As promovime nuk ka patur; darka e kokteile jo se jo.

Edhe në panairin e këtij viti ku Fevziu ekspozoi librin e tij për diktatorin Enver Hoxha, një tjetër autor, Prof. Arben Puto ekspozoi, edhe ai librin e tij Lufta Italo-Greke: Diktatorë e Kuislingë. Duam të themi, se edhe diktatorët e Prof. A.Putos, Hitleri e Musolini, nuk ishin më të vegjël, se ai i Fevziut. E, megjithatë, cilësia e lartë e një pune prej disa dekadash të profesorit për këtë libër, mblodhi në një sallë të vogël vetëm profesorë, akademikë, gazetarë e shkrimtarë boll, por as që mund të mendohej për darka e kokteile.

Po kështu, vetëm miq, kolegë e lexues të tyre, ndodheshin edhe në promovimin e librave të fundit të gazetarit Enver Robelli Arbën Xhaferi rrëfehet; profesor Luan Omarit Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese; studiuesit, Prof. Shaban Sinani Kodikët e Shqipërisë në Kujtesën e Botës e Etnos në Epos; Iluzione në sirtar të shkrimtarit Fatos Kongoli, Tranzicioni dhe liria ekonomike në Shqipëri nga Prof. Anastas Angjeli, apo, Historia e qytetërimit shqiptar me autor historianin e njohur, Prof. Kristo Frashëri.

Në këto përurime mungonin edhe darkat, kokteilet, por edhe Protokolli i Shtetit, shkëlqesitë e tyre ambasadorë, kryeministra, ministra, pjestarë të familjes mbretërore, biznesmenë e këngëtarë, që do të ishin të mirëpritur nga autorët dhe botuesit e këtyre librave. Si rregull, një lexues shkon në promovimin e një libri apo në panair jo për show, as për kokteilin e muzikën, por për cilësinë e librit, vlerat e tij. Kaq. Edhe politikën e librit e bën cilësia e tij. Për çudi, në të njëjtën kohë me panairin e 14- të të librit, Tirana 2011, ndërsa botimi Enver Hoxha po shënonte një bum shitjesh, Akademia e Shkencave, u tregua e pavarur dhe bëri një zgjedhje absurde, duke nominuar shkrimtarin Ismail Kadare për çmimin Nobel për letërsinë. Jo vetëm kaq!

Në fund të këtij panairi, edhe juria devijoi. Anëtarët e saj vendosën që çmimin Autori i Vitit tia japin shkrimtares Helena Kadare, me librin e saj Kohë e pamjaftueshme. Puç i Akademisë dhe i jurisë së panairit?! Nuk u trembën nga gjithë ai protokoll i rëndë, që pushtoi Panairin?! Mos bëhet fjalë për ndonjë parti të re (Partinë e Botuesve)?! Edhe këtu dora e opozitës?!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›