Polonia dëbon 45 diplomatë rusë të dyshuar për spiunazh

Polonia ka vendosur të dëbojë 45 diplomatë rusë të dyshuar për spiunazh kundër vendit, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme polake.
45 rusët dyshohen se janë spiunë ose janë bashkëpunëtorë të spiunëve, tha më herët Stanislaw Zaryn, një zëdhënës i shërbimeve speciale polake.
Njëri prej tyre u identifikua gjatë një hetimi ndaj një shtetasi polak, i cili punonte në arkivin e zyrës së të dhënave civile të Varshavës, për spiunazh të dyshuar, tha Zaryn.
Polaku u arrestua javën e kaluar dhe i është caktuar masa e paraburgimit për tre muaj. Ambasadori rus në Poloni, Sergej Andreyev, i mohoi akuzat pasi u thirr në ministrinë e jashtme polake më herët të mërkurën.
Z. Zaryn shkroi në Twitter se ambasadori rus përsëriti “gënjeshtra absurde” duke shtuar se ai është “një fals i madh”.