E Hënë, 2 Nëntor 2026

Polonia mund të humbasë mbi 2 miliardë dollarë për shkak të tarifave të reja amerikane

Polonia rrezikon të humbasë rreth 2.16 miliardë dollarë amerikanë për shkak të tarifave të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj produkteve evropiane, sipas vlerësimeve paraprake të publikuara nga Kryeministri polak, Donald Tusk.

“Humbjet do të jenë të ndjeshme në të dy anët e Atlantikut, por një marrëveshje e vështirë tregtare është më e mirë sesa një luftë tarifore pa kuptim mes aleatëve,” shkroi Tusk në rrjetin social X.

Marrëveshja e re kuadër mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, e arritur të dielën, vendos një tarifë importi prej 15% për shumicën e mallrave evropiane një masë që shmang tarifat më të larta të kërcënuara më parë dhe tenton të stabilizojë tregtinë ndëratlantike.

Megjithëse Polonia nuk eksporton në mënyrë të drejtpërdrejtë shumë produkte në SHBA, ekonomia e saj pritet të ndjejë ndikime të mëdha pasi kompanitë polake janë shpesh furnizues apo nënkontraktorë për vende të tjera si Gjermania, që më pas eksporton produkte të përfunduara, përfshirë automjetet, drejt tregut amerikan.

Automjetet janë ndër më të prekshmet nga tarifa e re 15%, që paraqet një rritje të madhe krahasuar me normën e mëparshme prej 2.5% para kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar të këtij viti.

Edhe vende të tjera të Evropës Qendrore kanë shprehur shqetësime për ndikimin e kësaj marrëveshjeje. Ministria e Financave e Çekisë bëri të ditur se tarifat amerikane pritet të ngadalësojnë rritjen ekonomike të vendit me 0.2 pikë përqindje deri në fund të vitit dhe me 0.39 pikë përqindje në vitin 2026. / abcnews.al

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›