“Populli i Fushë-Arrëzit do të shkojë në referendum!”- Hil Curri kundër shkrirjes së bashkisë: Do ta ndjekim çështjen edhe me institucionet ndërkombëtare

Kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hil Curri, ka kundërshtuar nismën për shkrirjen e bashkisë që drejton, duke deklaruar se qytetarët do të vendosin përmes referendumit.
Sipas tij, për këtë proces nuk është zhvilluar asnjë konsultim me komunitetin, madje as bashkia nuk ka një njoftimi zyrtar nga asnjë institucion për reformën.
“Ne si bashki nuk kemi asnjë lloj njoftimi zyrtar nga asnjë lloj institucioni për reformën. Por paraprakisht, Bashkia e Fushë-Arrëzit i ka marrë të gjitha masat, është lajmëruar Këshilli Bashkiak dhe ka filluar procesi me anë të organizatave të shoqërisë civile, për kalimin në referendum”, tha Curri.Ai theksoi se Fushë-Arrëzi ka potencial të rëndësishëm ekonomik dhe industrial, duke përmendur aktivitetin minerar dhe bizneset që operojnë në zonë.
Curri deklaroi gjithashtu se do të kërkojnë mbështetje nga institucionet ndërkombëtare, diaspora dhe shoqëria civile, ndërsa kërkoi që deputetët, si të djathtë ashtu edhe të majtë, të mos e mbështesin një vendim për shkrirjen e bashkisë.
“Fushë-Arrëzi është një bashki që ka potencial, ka një industri. Sot që po flasim kemi katër miniera, tre fabrika uji dhe potenciali industrial në bashkinë tonë është më i madh se në çdo bashki tjetër, mendoj. Mendoj se me mjetet demokratike, Bashkia e Fushë-Arrëzit do të jetë ndër bashkitë që do t’i dalë zot vetes dhe mendoj që këtu do të lobojmë shumë edhe me institucionet ndërkombëtare, diasporën, shoqërinë civile. Nuk do të jetë e lehtë që Bashkia e Fushë-Arrëzit të shkrihet. Deputetët të djathtë dhe të majtë të mos e votojnë”, tha ai.