E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria pezullon ndërtimet në zonat turistike deri më 15 shtator 2026, Gonxhja: Synojmë sezon të qetë dhe cilësor

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja deklaroi se pas vendimit të Këshillit të Ministrave, punimet e ndërtimit dhe aktivitetet e lidhura me to në zonat turistike janë pezulluar përkohësisht.

Sipas Gonxhes, periudha e pezullimit fillon me hyrjen në fuqi të këtij vendimi dhe përfundon më 15 shtator 2026.

“Kjo masë synon të garantojë zhvillimin normal të sezonit turistik, mbrojtjen e destinacioneve turistike dhe një mjedis më të qetë e cilësor për qytetarët dhe vizitorët”, tha ai.

Vendimi sipas ministrit Gonxhja përcakton punimet që pezullohen; punimet që përjashtohen nga pezullimi; zonat ku zbatohet masa; rregullat për lejet e ndërtimit; masat administrative në rast shkeljesh dhe institucionet përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e tij.

Ministri Gonxhja ftoi të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari ndërtimore të respektojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi dhe të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse për garantimin e një sezoni turistik të qetë, të sigurt dhe me standarde të larta.

Sipas vendimit të qeverisë periudha e pezullimit fillon me hyrjen në fuqi të vendimit dhe përfundon më 15 shtator 2026.

Gjatë kësaj periudhe do të pezullohen punimet në karriera, pikat e nxjerrjes, përpunimit dhe shfrytëzimit të inerteve, si dhe aktivitetet e lidhura me to.

Gjithashtu do të ndalohen punimet e ndërtimit nga faza e gërmimeve dhe hedhjes së themeleve deri në përfundimin e ngritjes së karabinasë së objekteve, si edhe punimet që shkaktojnë zhurma, pluhur apo ndikime të tjera negative në mjedis.

Nga ky pezullim përjashtohen punimet e rifiniturave të brendshme dhe punimet e vogla pas përfundimit të karabinasë, për sa kohë që janë të pajisura me lejet përkatëse dhe nuk shkaktojnë ndotje akustike, pluhur apo ndikime të tjera negative.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›