E Diel, 1 Nëntor 2026

Populli ka falsifikuar

Share

Nga Lavdosh Ferruni

Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë që populli falsifikon. Sot në kohën e mbretërimit të vjedhjeve e falsifikimit të paparë të strukturave të shtetit, del shteti dhe akuzon popullin si falsifikator.

Mbi 60,000 qytetarë të këtij vendi kanë nxjerrë kartën e identitetit të tyre, e kane skanuar apo e kanë fotografuar atë, dhe ia kanë dorëzuar, sipas ligjit, në mënyrë të protokolluar z.Ristani, kryetar i KQZ, më 13 mars 2012, duke i kërkuar institucionit të tij kryerjen e referendumit për lejimin ose jo të importit të mbetjeve në Shqipëri. Sot, pas 105 ditësh, 15 ditë në thyerje të ligjit për referendumet, unë, si një nga mijëra qytetarët, kam të drejtë të them me zë të lartë:

Z. Ristani, unë Lavdosh Medi Ferunaj me nr. personal të kartës së identitetit F60925127S ju kam dhënë identitetin tim me figurë dhe me firmë dhe me elementët e sigurisë, duke ju kërkuar mbajtjen e referendumit kombëtar për lejimin ose jo të importit të plehrave, në vijim të nismës qytetare për këtë referendum. A jam unë një ndër 43 mijë falsifikatorët e kërkesës për referendum që ju keni kalkuluar me zgjedhjen që keni bërë? Edhe pse ju përdorni me qëllim termin falsifikim, akt ky i dënueshëm me ligj, në vend të termit parregullsi apo jokorrektësi, ligji më njeh mua të drejtën që brenda 30 ditëve të korrigjoj falsifikimin (parregullsitë). Unë kërkoj të publikoni emrin tim si falsifikator. Më thoni dhe se ku të ankohem ndaj jush nëse unë dua të mbrohem nga akuza juaj.

Dijeni se këtë gje do ta kërkojë i gjithë populli falsifikator. Ju vetëm listoni popullin falsifikator.

Pak nga historia e falsifikimit

Disa ditë para datës 11 qershor 2012, datës ligjore kur KQZ duhet të kalonte në Gjykate Kushtetuese kërkesën për referendum, organizatorët u interesuan pranë KQZ dhe iu tha prej njerëzve të saj se procesi ka mbaruar dhe se para datës 11 qershor do publikohet relacioni në internet dhe me datë 11 qershor (as mund të mendohej për ditë më parë afatit të fundit) do merret vendimi. Nuk ndodhi kështu. KQZ thotë tani se me date 12 qershor, d.m.th 1 ditë pasi afati i KQZ kish mbaruar i paska dërguar një kërkesë Ministrisë së Brendshme (laboratorit kriminalistik) për verifikim firmash, që dukeshin të dyshimta. Pyetja e thjeshte është: gjatë 90 ditëve që i njeh ligji KQZ-së nuk u dyshua dhe dyshimi lindi 1 ditë pas mbarimit te afatit ligjor? Dhe fët e fët 1 ditë pas prononcimit publik të ambasadorit amerikan për papërgjegjshmëri e zhgënjim nga KQZ na del nga kriminalistika përgjigjja se afro 43.000 shqiptarë janë falsifikatorë. Ajo që duket është se KQZ e Berishës kish synuar një mohim të butë të kërkesës për referendumin përmes nje shtyrje në sezonin e pushimeve verore të administratës, por u detyrua të vihet në lëvizje të nesërmen, pasi ambasadori amerikan reagoi ndaj KQZ, në mbështetje të qytetarëve që po injoroheshin në kërkesen e tyre demokratike për referendum.

Ishte po Berisha që pengoi në vjeshtën e vitit 2005 referendumin e popullit të Vlorës kundra parkut energjetik në Vlorë, duke i hapur rrugën ndërtimit të TEC-it me naftë në bregdetin magjepsës në Gjirin e Vlorës, për të cilin taksapaguesit shqiptarë duhet të paguajnë 100 milion euro për një vepër që rezultoi dështim spektakolar (i paralajmëruar nga populli i Vlorës) dhe për të cilin prokuroria akoma hesht. Tashti Berisha nëpërmjet Ristanit po i mbyll përsëri rrugët referendumit, për të lënë të hapur rrugën e importimit të plehrave në Shqipëri. Ministria e Mediut është e mbytur me punë këto javët e fundit, teksa po merret me  lejet mjedisore për importin e plehrave. Nesër, Ministria e Mediut shkon në Devoll për lejen e kërkuar për mijëra ton import plastikash nga Greqia, fill pas lejeve të kërkuara në Shupenzë të Dibrës për mijëra ton import plastikash kryesisht nga Maqedonia, në Kutalli të Beratit e Shtodhër të Kavajës, kryesisht për mijëra ton plastikash import nga Italia. Së shpejti do i vijë radha Vlorës, por do e kenë lënë në nëntor me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. E me këtë rast mund të bëhet dhe ndonjë prerje shiriti aty.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›