Porositi mbi 4.6 kg kanabis me THC të lartë me postë nga SHBA, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë

Një 20-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi dyshohet se kishte porositur nga Shtetet e Bashkuara një pako me mbi 4.6 kilogramë Cannabis me përqindje të lartë THC, me qëllim shitjen e saj në Shqipëri.
Gjatë hetimit, policia identifikoi si porositës të pakos shtetasin D. S., 20 vjeç, banues në Bathore. Pakoja, e dyshuar se ishte trafikuar nga SHBA-ja, përmbante 8 paketime me lëndë narkotike Cannabis, me peshë totale 4 kg e 641 gramë.
Lënda narkotike u sekuestrua dhe u administrua si provë materiale, ndërsa 20-vjeçari u vu në pranga gjatë veprimeve procedurale.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë skemën e trafikimit dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/