Porti i Durrësit, 350 mijë udhëtarë në shtatë muaj

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Numri i pasagjerëve që kanë kaluar përmes portit të Durrësit gjatë periudhës janar-korrik 2025 ka pësuar rritje.
Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit Portual Durrës, numri i pasagjerëve që kanë kaluar përmes këtij porti në periudhën janar-korrik 2025, u rrit me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Rreth 350 mijë udhëtarë kanë zgjedhur rrugën detare mes Portit të Durrësit dhe porteve italiane gjatë 7 muajve të parë të këtij viti, një rritje prej 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024”, theksoi APD.
Terminali i Trageteve ka operuar me kapacitet të plotë në të gjitha shërbimet e tij, përfshirë edhe agjencitë private, edhe ato shtetërore, të cilat kanë kontribuar për një sezon pa vonesa apo problematika të evidentuara.
Në menaxhimin e fluksit kanë qenë të angazhuara Siguria Portuale, Policia Kufitare, agjentët doganorë dhe instancat e tjera ligjzbatuese.

/r.e/