Porti i Durrësit, rrëzohet sërish PD/ Kushtetuesja: Përjashtimi nga taksa nuk i jep avantazh investitorit

Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë e dytë të PD për portin e Durrësit. Trupa gjykuese shqyrtoi dhe shpalli të pavlefshme pretendime e 28 deputetëve të opozitës për anulimin e ndërtimit të portit turistik Durrës Yacht Marina.
Në vendim shkruhet se menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik duhet kuptuar se është vetëm një mundësi, zbatimi i së cilës mbetet në diskrecionin e pushtetit vendor.
Kurse sa i përket përjashtimit të investitorit strategjik nga taksat, Gjykata konkludoi se detyrimi për të paguar këto taksa/ detyrime financiare nuk i jep atij një avantazh konkurrues në tregun përkatës, për sa kohë, pavarësisht lehtësive në dukje.
Në këmbim shteti është bërë aksioner në shoqërinë investitore në masën 33 %, për rrjedhojë do të jetë pjesëmarrës në ndarjen e dividentit në po të njëjtën masë.
Gjykata Kushtetuese nuk mori ne shqyrtim pretendimet e tjera të opozitës, për cënim të trashëgimisë kulturore, pronës publike, mungesës së transparencës, parimeve të autonomisë vendore apo shkeljeve të marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi vetë kërkuesi nuk ka arritur të paraqesë argumente kushtetuese.
Po ashtu, trupa nuk mori në shqyrtim as pretendimin se zhvilluesi i projektit është përzgjedhur pa garë, me argumentin se kjo është parashikuar në marrëveshje mes Shqiperisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Opozita dështon për herë të dytë pas 2023 të zhbëjë një nga projektet kryesore të Shqipërisë, portin turistik të Durrësit, një investim 2 miliardë euro që do të realizohet nga investitori i njohur Muhamed AlAbar, kurse shteti shqiptar do te jete bashkeaksioner.
/ abcnews.al