E Enjte, 5 Nëntor 2026

Porti i ri i Durrësit/ Opozita kërkon ngritjen e komisionit hetimor: Është një aferë korruptive

35 deputetë të opozitës kërkojnë nga parlamenti ngritjen e një komisioni hetimor, për marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe investitorit Muhamed Alabbar për ndërtimin e portit të jahteve në Durrës.

Deputeti i këtij qyteti Oerd Bylykbashi ka akuzuar mazhorancën, se me miratimin e kontratës për ndërtimin e portit të jahteve, i ka grabitur qytetarëve portin më të rëndësishëm të vendit.

OERD BYLYKBASHI

” Ka shkelur në mënyrë brutale Kushtetutën, dhe çdo aspekt tjetër që garanton që prona publike administrohet në interes të publikut, administrohet me transparencë, me drejtësi, me konkurrencë të hapur, dhe garanton nga ana tjetër zhvillim strategjik. Kjo aferë po zhduk portin më shumë se 2700 vjeçar të Durrësit. “

Sipas Bylykbashit, projekti bie ndesh me marrëveshjen e stabilizim asocimit, e cila sanksionon garë të ndershme për çdo projekt. Dhe nga ana tjetër, dëmton interesin ekonomik të vendit.

“Grabiten miliarda euro që vlen ajo pronë publike. Janë 150 milionë euro që i hiqen dhe i grabiten qytetarëve të Durrësit në taksat e zhvillimit ku qeveria ia fal investitorit privat që është klient i saj. Është cënuar autonomia vendore më të cilën vetqeverisen qytetarët e Durrësit, dhe këtë qeveria e bën duke i ulur kokën atij pushteti vendor që bën gati ta grabisë sërish në zgjedhjet e 14 majit në Durrës. “

Krahas komisionit hetimor, opozita do t’i drejtohet për herë të dytë gjykatës kushtetuese, për t’i kërkuar shfuqizimin e marrëveshjes për ndërtimin e portit të jahteve në Durrës.

Projekti i Marinës dhe jahteve në Durrës parashikon 280 vende ankorimi për jahtet, hotele me 4 dhe 5 yje, dhe ndërtimin e apartamenteve. Ky projekt shtrihet në 20 vjet dhe do të përfshijë një hapësirë prej 800 hektarë.

Shteti shqiptar i vendos ne dispozicion investitorit, një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2 në Portin e Durrësit si dhe në Marinën e portit, dhe i garanton përjashtimin nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›