Porti i ri turistik Vlorë, Rama: Integron Shqipërinë në rrjetin e lundrimit turistik me 5 yje të Mesdheut

Vijon procesi i punimeve për portin e ri turistik në Vlorë, që do të shërbejë jo vetëm për ankorimin e jahteve luksoze që lundrojnë në ujërat e vendit tonë, por edhe do të rikonceptojë peizazhin e Vlorës.
Pamjet e punimeve u publikuan nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se ky port do e integrojë Shqipërinë në rrjetin e lundrimit turistik me 5 yje të Mesdheut.
Porti i ri i Vlorës do të shërbejë si një nxitës edhe për ekonominë, punësimin dhe përmirësimin e shërbimeve. Punimet në port pritet të përfundojnë në 2025.
“Me Portin e Ri Turistik, i cili do ta pasurojë së shpejti peizazhin e Vlorës së Rilindur edhe me jahtet e shumëmunguara të vizitorëve, duke e integruar më në fund Shqipërinë në rrjetin e lundrimit turistik me 5 yje të Mesdheut dhe duke hapur burim të ri domethënës rritjeje të punësimit, shërbimeve, të ardhurave nga ekonomia e detit, ju uroj të diel të qetë”, shkruan Rama.
/rtsh.al/